Flamuri i Kinës, Foto: Pixabay

Ish-ministri i jashtëm kinez u shkarkua për shkak të një marrëdhënieje jashtëmartesore

Ish-ministri i jashtëm i Kinës, Qin Gang, i cili u largua nga kjo detyrë në muajin korrik, ka patur një marrëdhënie jashtëmartesore gjatë periudhës që ka qenë ambasador në Shtetet e Bashkuara, njoftoi të martën gazeta “The Wall Street Journal”, duke cituar persona në dijeni të çështjes.

Artikulli thotë se zoti Qin po bashkëpunonte me një hetim që ishte përqëndruar tek aspekti nëse marrëdhënia që ai kishte patur, kishte kompromentuar sigurinë kombëtare të Kinës.

Zyrtarë të lartë kinezë janë informuar se një hetim i brendshëm i Partisë Komuniste kishte zbuluar se zotin Qin e kishte patur këtë marrëdhënie gjatë gjithë mandatit si ambasador i Kinës në Shtetet e Bashkuara, thuhet në artikull. Gazeta mësoi nga dy burime se nga marrëdhënia kishte lindur një fëmijë në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë një seance të rregullt informimi për shtypin, zëdhënësja e ministrisë së jashtme kineze Mao Ning u pyet për këtë artikull dhe tha se: “në lidhje me emërimin dhe largimin e ministrit të jashtëm kinez, pala kineze ka dhënë informacion më herët dhe unë nuk jam në dijeni të informacioneve të tjera që ju përmendët”.

Zoti Qin u zëvendësua në detyrën e ministrit të jashtëm nga diplomati me përvojë Wang Yi në muajin korrik, pas një mungese misterioze njëmujore nga detyra e ministrit, në të cilën nuk kishte mbushur ende një vit.

Ai ishte diplomati më i lartë kinez në Uashington nga korriku 2021 deri në janar të këtij viti./VOA