Xhavit Haliti

Xhavit Haliti flet se si do të veprojë PDK nëse del në opozitë

Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se është i sigurt që PDK-ja fiton në zgjedhje, por edhe sikur të dalë në opozitë, atëherë opozitarizimin do ta bëjë në institucione dhe jo në rrugë.

Ai ka folur të martën në “Imazh” te RTK.

“Le t’i mbajnë ata vijat e kuqe. Unë mendoj që ne do të fitojmë, por edhe nëse mbesim në opozitë do ta mbështesim qeverinë e ardhshme për interesin e shtetit. Opozitën do ta bëjmë në institucione dhe jo në rrugë”, ka thënë Haliti.

Ai ka thënë se përveç Veselit që thotë se do ta luftojë korrupsionin, të gjithë kandidatët e tjerë për kryeministër thonë se do ta qesin PDK-në në opozitë, çka sipas tij, një gjë e tillë nuk është e kuptueshme.

PDK ka qenë pjesë e të gjitha qeverive të Kosovës që nga zgjedhjet e vitit 2007. Për dy mandate rresht ajo e kishte postin e kryeministrit.