VV-ja mban referendum për marrëveshjen e koalicionit me LDK-në

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se Komisioni i Përgjithshëm Zgjedhor i kësaj partie komfor statutit të saj, sot organizon referendumin për marrëveshjen me LDK-në, për formimin e Qeverisë.

Marrëveshjet Qeveritare sipas nenit 28 të Statutit të VV-së, parashihen që të vendosen me anë të demokracisë së drejtpërdejtë, me parimin një aktivist një votë.

Sipas njoftimit, ky referendum do të përfshijë të gjithë aktivistët, të organizuar në të gjitha qendrat e këtij subjekti.

“Ju bëjmë ftesë të gjithë aktivistëve që të dalin dhe të shprehin vullnetin e tyre!”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Ndërkaq, nga Zyra për Media e VV-së, për KALLXO.com kanë bërë të ditur se ky proces i votimeve do të mbahet vetëm sot dhe do të përfundojë në ora 19:00.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës sot kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Ndërkaq, të hënën në orën 11:00 pritet të votohet Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e VV-së dhe në bashkëqeverisje me LDK-në.