Xhafer Tahiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vushtrri, kryetari ndalon përdorimin e aseteve komunale për fushatë

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri dje nxorri një urdhëresë për ndalimin e përdorimit të aseteve të komunës për zgjedhje.

“Të gjithë zyrtarëve të komunës i’u ndalohet përdorimi i aseteve të komunës për qëllime të fushatës zgjedhore për zgjedhjet qendrore që do të mbahen me 14 shkurt 2021”, thuhet në urdhëresë.

Në bazë të urdhëresës së Tahirit, zyrtarët e komunës janë të obliguar po ashtu që të respektojnë në përpikëri  orarin e punës edhe gjatë kohës së fushatës.

“Largimi nga vendi i punës mund të bëhet vetëm në raste të arsyeshme, me leje të mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë. Vijueshmëria në punë e të gjithë zyrtarëve komunal do të përcillet sidomos gjatë fushatës zgjedhore respektivisht deri në përfundim të fushatës zgjedhore”, thuhet në urdhëresë.

Tahiri tutje ka vendosur që në rastet kur kjo urdhëresë nuk respektohet nga ana e zyrtarëve komunal, do të ndërmerren masa.

“Urdhëresa hynë në fuqi në ditën e nënshkrimit”, thuhet në urdhëresën e Tahirit.

KALLXO.com ka raportuar se kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ua ka ndaluar të gjithë drejtorëve të shkollave që të marrin pjesë në aktivitete partiake para dhe gjatë fushatës zgjedhore.

Lladrovci ua ndalon drejtorëve të shkollave të marrin pjesë në aktivitete të fushatës zgjedhore