Shkodra. Foto: Wikipedia

Vritet ish lojtari i 'Vllaznisë' në Shkodër, e vrau shoku gabimisht

Gjatë ditës së djeshme është vrarë Gledis Kraja, 23 vjeçar nga Shkodra, pasi shoku i tij e ka qëlluar gabimisht.

Siç shkruan Top Channel, ngjarja ndodhi mbrëmjen e ditës së hënë , rreth orës 22:00 në lagjen “Perash” kur autori i dyshuar Sebastjan Smakaj dhe i vëllai i tij nisën një debat për motive të dobëta me një person tjetër. Përplasja agravoi në përdorimin e armëve të zjarrit. Autori Smakaj është kthyer në banesën e tij, ka marrë armën tip kallashnikov, për të qëlluar me breshëri në drejtim të të riut tjetër, me të cilin u konfliktua por duke gabuar në shënjestër.

Një prej plumbave fatkeqësisht ka prekur Gledis Krajën, shokun e tij, i cili ndodhej pak metra më larg. Pavarësisht ndihmës së dhënë nga bluzat e bardha të Spitalit Rajonal të Shkodrës, 23-vjeçari ndërroi jetë. Policia e Shkodrës shpalli në kërkim dy vëllezërit Sebastjan dhe Stjuart Smakaj si autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Ndërkohë, Policia e shtetit shqiptar ka arritur ta arrestojë të dyshuarin për vrasje.

“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma e zjarrit 18 gëzhoja të qitura nga kjo armë zjarri , automjetet të cilat janë të palëve në konflikt, si dhe vijon puna intensive për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasja me dashje, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municion”, thuhet në njoftimin e Policisë shqiptare.