Shiriti i Policisë së Kosovës. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Vrasjet e bujshme që ndodhën së fundmi në Shkodër

Gjatë këtij viti, Shkodra është tronditur nga ngjarje të rënda kriminale dhe përplasje mes bandash, të cilat kanë shkaktuar disa viktima.

I fundit ishte Erjon Xhenje, 19-vjeçari i ekzekutuar mbrëmjen e së dielës, në lagjen “Kiras” në brendësi të një lokali. Vrasja dyshohet të jetë vazhdimësi e rivalitetit mes bandës së dy fiseve, Bajri dhe Lici.

Në lagjen “Zooteknike”, është gjetur i djegur në afërsi të portës së familjes Lici, motori që dyshohet se është përdorur nga autorët.

Më 2 shtator, u ekzekutua 57-vjeçari Ismet Çekorja, babai i Bajram Çekores, ky i fundit në kërkim për atentatin ndaj Alban Bruçit.

5 ditë para vrasjes, Ismet Cakorja dha një intervistë për “Euronews Albania”, ku mohoi faktin se djali i tij është i përfshirë në ngjarjen për të cilën akuzohet.

Më 15 qershor, mbeti i vrarë 76-vjeçari Lulash Qepuri, pronar i një lokali në Shkodër. I moshuari u qëllu me armë në lokalin e tij nga një person i maskuar.

Sipas dëshmisë së djalit të viktimës, autori ka lëvizur në këmbë nga ura e Bardhajve në drejtim të lokalit ku ndodhej me babain e tij, dhe pasi ka qëlluar, është larguar duke përfituar nga errësira në zonë, në drejtim të Hotit të ri dhe më pas Postribës duke humbur gjurmët.

Një tjetër vrasje, ishte ajo e Naim Bajrit, e ndodhur më 3 qershor. Bajri po konsumonte kafen e mëngjesit në afërsi të punës së tij bashkë me punëtorin e Astrit Zeneli në momentin që u qëllua me armë zjarri.

Autorët ishin brenda makinës tip ‘Benz’ teksa qëlluan në drejtim të viktimës me 9 plumba. 8 nga plumbat kapën shënjestrën, ndërsa punëtori u plagos me një plumb në krah.

Fisi Bajri është i njohur në Shkodër sa i takon konflikteve të shpeshta që kanë përfunduar me vdekjen e disa personave.

Më 12 prill, 55-vjeçari Nazmi Bandulla u vra në lagjen “Partizani” të Shkodrës, pak metra larg banesës së tij.

Bandulla ishte një person i njohur për drejtësinë, pasi më parë i ishte vendosur dhe tritol në banesë.

Më 13 shkurt, 47-vjeçari Prek Tonaj u qëllua për vdekje armë zjarri kallashnikov nga një person i maskuar në ambientet e një lokali. Tonaj ishte punonjës i Ujësjellës Kanalizimeve në Shkodër.

Ai u arrestua 11 vite më parë pas dyshimeve se planifikonte vrasje për të marrë gjakun e të vëllait./Euronews Albania