Forcat RENEA në vendin e vrasjes së efektivit te FNSH-së. Foto:Elvis Hila

Vrasja në pritë e policit shqiptar, hetimet e përqëndruara te grabitja dhe konfliktet e mundshme

Një efektiv i Policisë së Shtetit u ekzektua me armë zjarri mëngjesin e së shtunës në Lezhë, në atë që duket si një pritë nga persona ende të panjohur.

Xhulio Prela 26-vjeç, efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, u gjet i vrarë në automjetin e tij në superstradën Lezhë-Milot, pranë fshatit Gajush.

Prokurori Erjon Shehaj, i cili po drejton hetimet i tha BIRN-it se nga dëshmitë rezultonte që Prela po kthehej i vetëm në Tiranë nga Hajmeli i Shkodrës, pasi kishte shoqëruar me makinë një mik të familjes, të cilin e kishte marrë në aeroportin e Rinasit.

Grupi hetimorë nuk ka të dhëna për konflikte të 26-vjeçarit apo familjes së tij. Hetuesit ende nuk kanë një motiv, ndërsa i thanë BIRN se po shikonin edhe mundësitë e një grabitje.

Policia tha se nga dëshmitë e marra prej personave që kanë parë ngjarjen, duket se Prela i është përgjigjur sinjaleve nga një makinë që kishte ndaluar në rrugë dhe ka kthyer makinën e tij në drejtim të Shkodrës.

Ai është qëlluar nga personat që i kanë bërë shenjë për të ndaluar, nga xhami i hapur i Volkswagenit që drejtonte. Policia i tha BIRN se plumbi e ka marrë atë në gjoks duke i shkaktuar vdekjen, por ai ka reaguar fillimisht dhe makina ka lëvizur edhe 300 metra nga vendi ku ka ndodhur përplasja, në një përpjekje të fundit të Prelës për të shpëtuar. 2 plumbat e tjerë janë gjetur në targën e makinës dhe njëri ka thyer xhamin e pasëm të saj, që sipas policisë tregojnë se është qëlluar ndërsa përpiqej të largohej. Policia tha se gjeti tre gëzhoja të një arme pistoletë tip TT.

Mësohet se automjeti me të cilin kanë lëvizur autorët është identifikuar nga policia. Ndërkohë veç oficerëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në zonë kanë mbërritur edhe kolegët e viktimës nga FNSH Shkodër dhe forcat speciale RENEA, të cilat kanë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen. 15 persona ishin shoqëruar deri në mesditë.

Vrasja e efektivitit të FNSH=-së Xhulio Prela ka tronditur shokët e drejtuesit e kësaj strukture në Shkodër. Drejtuesi i FNSH-së Shkodër Hamdi Shullani i tha BIRN se ata ishin të shokuar dhe të trondidur pas lajmit. “Xhulio ishte një djalë shumë i rregullt, korrekt në detyrë, një polic i mirë që premtonte të kishte të ardhme të suksesshme në rradhët e policisë, pasi ndiqte dhe Akademinë e Rendit. Ai i kryente me devotshmëri e seriozitet detyrat”, tha Shullani për BIRN.

26 vjeçari kishte rreth 4 vjet në forcat e rendit. Pasi kishte kryer shkollën e policisë 26-vjeçari e ka nisur karrierën e tij në Lezhë ku ka punuar rreth dy vite si efektiv i policisë së rendit dhe më pas është transferuar tek forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës.