Vrasja e grave, të martën protestë gjithëpopullore në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në kryeqytet

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë thirrje për protestë gjithëpopullore për ditën e martë me thirrjen se nuk ka paqe pa sigurinë e grave, pas rastit të vrasjes së Liridona Murselit.

Protesta pritet të organizohet në sheshin ‘Zahir Pahaziti’ nga ora 18:00.

“Ju njoftojmë se këtë të martë, 5 dhjetor, duke filluar nga ora 18:00, ne thërrasim protestë gjithëpopullore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare!”- thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim theksohet se do organizohet edhe një aksion simbolik pranë Pallatit të Drejtësisë gjatë ditës së diel (3 dhjetor) ku do zhvillohet seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Murselit.

“Njëherit, ju njoftojmë se Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist bashkë me aktivistë/e feministë/e të pavarur/a do të organizojnë një aksion simbolik pranë Pallatit të Drejtësisë ku do të zhvillohet  seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Murselit. Seanca pritet të fillojë në ora 9:30 e dielë, 3 dhjetor 2023”- thuhet tutje në njoftim të  Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin G. P. dhe N. M., bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Mediat lokale në Kosovë e kanë identifikuar bashkëshortin si Naim Murseli.

Derisa, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar, është edhe K. K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Vrasja e Liridona Murselit është dënuar edhe nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Rrjeti i Grave të Kosovës.

Në periudhën janar-nëntor, në Kosovë janë raportuar rreth 2,000 raste të dhunës në familje. Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, 90 për qind e viktimave të kësaj dhune kanë qenë gratë dhe vajzat.

Në Kosovë, më 25 nëntor ka nisur fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me baza gjinore”.

Vetëm në vitin 2022 në Kosovë janë vrarë tri gra – për të tria rastet, fajtorë ose të dyshuar kanë qenë bashkëshortët e tyre.

Në periudhën 2010-2022 në këtë shtet janë vrarë 50 gra.