Vrasja e Arben Dekajt, hetuesi policor: njollat në veturën me të cilën dyshohet se u bart i vrari u përputhën me gjakun e tij

Në Gjykatën e Pejës sot ka vazhduar gjykimi për vrasjen e Arben Dekajt, vrasje për të cilën po akuzohet Kamber Buleshkaj.

Buleshkaj akuzohet se më 12 shtator 2018 me 8 plumba e kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Arben Dekaj, e pastaj e kishte hedhur trupin e tij nga ura në lumin e Shushicës.

Sot para Gjykatës kanë dalë disa dëshmitarë për të dhënë versionin e tyre për vrasjen e Arben Dekajt.

Riza Mahaj, hetues policor, i cili ka qenë i ngarkuar me rastin e vrasjes së Arben Dekajt, tha se fillimisht Kamber Buleshkaj ishte intervistuar si dëshmitar në këtë rast, deri në momentin kur kanë ardhur te prova të reja që kanë dërguar të dyshimi se Buleshkaj kishte vrarë Arben Dekajn.

Sipas hetuesit, gjatë bastisjes në shtëpinë e të akuzuarit është gjetur një mbështjellës i një predhe, i cili është dërguar për në forenzikë për krahasim me predhat e gjetura në trup të viktimës.

Ai tha se bastisja në shtëpinë e Kamber Buleshkajt ka ndodhur me urdhër të Gjykatës, diku 2 muaj pas incidentit, sepse deri atëherë Buleshkaj ka qenë vetëm dëshmitar në këtë çështje penale.

Hetuesi tha se viktima ishte gjetur në urën e fshatit Dubravë, në një përrua, ndërsa makina e llojit BMW, e që po pretendohet se më të është bërë bartja e trupit të viktimës, ishte gjetur në Mitrovicë.

Hetuesi duke iu referuar raportit të ekzaminimit tha se njollat e gjetura në veturën me të cilën është bartur viktima janë përputhur me gjakun e viktimës.

“Në bazë të kamerave shihet kjo veturë që hyn në oborrin e Kamber Buleshkajt dhe qëndron diku 25 minuta në oborrin e tij, pastaj edhe deklaratës se motrës së viktimës dhe rrëfimit të të dyshuarit në fillim, ne kemi kërkuar nga prokurori i çështjes më na siguru urdhëresën për bastisje”, tha hetuesi.

Mahaj shtoi se në atë lagje ku është gjetur vetura  në video incizime shihet një person që gjason me Kamber Buleshkajn, ku pastaj e kanë dërguar të akuzuarin aty në mënyrë që të bëhet krahasimi.

Mahaj deklaroi edhe për disa mesazhe që janë nxjerre nga forenzika, ku i akuzuari ka komunikuar me një kushëri të vetin, i cili ka punuar si gardian në burg, A.B.

“Nga i dyshuari janë konfiskuar telefonat ku në bazë të ekzaminimit të Forenzikës shihen disa mesazhe ku thotë: “Me shitë një copë tokë nëse më arrestojnë’”, deklaroi Mahaj.

Ndërsa në anën tjetër i akuzuari Buleshkaj pretendonte sot në Gjykatë se atij shtëpia i ishte bastisur edhe para se të bëhej bastisja me urdhër të Gjykatës.

Por kjo u mohua nga hetuesi policor, Riza Mahaj.

“Është dal Kamberi dhe  e kemi njoftu që duhet me intervistu si dëshmitar, nuk kemi kry bastisje, në mënyrë absolute jo”, tha ai.

Ekspertja e balistikës, Hyrije Hoxha, para trupit gjykues deklaroi se gjatë ekzaminimit balistik të një plumbi është konstatuar se ai ka qenë pjesë e fishekut të armës me kalibër 7.62×39 mm, i cili është gjuajtur nga arma e njëjtë 7.62×39 mm.

“Në raportin e dytë ka ardhur dëshmia e një xhakete metalike, pjesë e plumbit, kjo xhaketë është kërkuar me u krahasu me plumbin e raportit të mëhershëm”, tha tutje ekspertja.

Ajo si përfundim tha se gjatë ekzaminimit balistik ka konstatuar se kjo xhaketë është gjuajtur apo shkrepur nga një armë e njëjtë 7.62×39 mm.

Një dëshmitar tjetër, Besim Smajli, doli sot po ashtu për të dhënë dëshminë e tij para Gjykatës.

Smajli tha se në lagjen e tij në Mitrovicë kishte vërejtur një veturë BMW me tabela 03 dhe tha se nuk është i sigurt a ka qenë një person në të apo dy, sepse njëri sipas tij ishte fshehur që mos ta shoh.

Pasi iu kërkua që në Gjykatë të kthehet dhe të shikojë a është i akuzuari personi që ka qenë në veturën në fjale, ai u përgjigj se nuk mund të thotë se a ka qenë Buleshkaj në veturë.

Dëshmitari tjetër që u dëgjua sot në Gjykatë ishte edhe kushëriri i të akuzuarit Buleshkaj, Armend Buleshkaj.

Ai tha se si me të akuzuarin ashtu edhe me viktimën ka pasur raporte shumë të mira dhe nuk është në dijeni për ndonjë konflikt mes këtyre të fundit.

Dëshmitari Buleshkaj tha se për vrasjen e Arbenit ka mësuar përmes rrjetit social Facebook dhe atëherë kur Policia kishin ardhur t’i marrin video-incizimet e lokalit të tij, i cili gjendet në afërsi të shtëpisë së të akuzuarit dhe të ndjerit.

Ai shtoi se i akuzuari atij ia kishte mohuar që të këtë kryer vrasjen e Arben Dekajt.

Dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Agron Galani tha se bisedat përmes telefonit me të akuzuarin i kishte bërë për shkak se nuk ka pasur mundësi të takohet me të, pasi që i akuzuari kishte shkuar në Beograd.

“Unë kur kam biseduar me të ai ka qenë në Beograd për të aplikuar për një vend pune, unë i thash nëse e ki bërë këtë vepër ma mirë mos u kthe hiç në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa për pjesën e tokës që i akuzuari i kishte kërkuar atij që t’ia vendos për shitje, ai tha se nuk ka njohuri se për cilin rast ka dashtë me e shitë tokën.

Familjarët e të ndjerit Arben Dekaj shfaqën akuza që dëshmitari u kishte kërkuar atyre mos të tregonin te policia që kishte shkuar disa herë në shtëpi tek ata, pasi që mund të humbiste vendin e punës.

Këto akuza u mohuan nga dëshmitari.

Prokuroria e Pejës pretendon se në shtator të vitit 2018 në Istog, i ndjeri me veturën e tij kishte shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Kamber Buleshkaj, duke kërkuar nga ky i fundit një armë të llojit kallashnikov, që këtë armë të ndjerit ia kishte kërkuar Abedin Hysenaj, që të festonin në një aheng familjar.

Sipas dosjes se Prokurorisë, pas një mosmarrëveshjeje i akuzuari Buleshkaj privon nga jeta Arben Dekajn, e pastaj te lumi i Shushicës e hedh trupin e tij nga ura në lumë.