Von Cramon i reagon Borrellit: BE-ja duhet të përkrahë shtetet që po luftojnë krimin e organizuar

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, i ka reaguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, duke thënë se ai duhet të kritikojë shtetet ku nuk po implementohet sundimi i ligji.

Sipas saj, dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian nuk ka të bëjë me operacionet e forcave të rendit.

“Ju lutem, kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet e përditshme të Policisë”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell përmes një reagimi kishte kërkuar që të ndalet aksioni anti-kontrabandë i Policisë së Kosovës në Prishtinë, Gjilan, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Policia e Kosovës nga mëngjesi i sotëm ka filluar një aksion për mallra të kontrabanduara. Nga aksioni i zhvilluar në katër komuna janë arrestuar tetë persona nga ta  6 shqiptarë, dhe një serb e një boshnjak.

Ndërsa janë lënduar gjashtë policë, një prej tyre i komunitetit serb.