Vjosa Osmani deputetit të LDK-së, "There is a new Sheriff in town"

Deputeti nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala njëherësh nënkryetar i Kuvendit dhe ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj (LDK), janë përfshirë në polemika me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani lidhur me kompetencat dhe rregulloren e Kuvendit të Kosovës në rastin e deklaratave të kryeparlamentares.

Fillimisht, kryeparlamentarja Vjosa Osmani komentoi disa deklarime të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj.

Me pas reagoi deputeti Shala duke thënë se Osmani nuk mund të jap komente nga pozita e kryetares.

“Për procedurë e kërkova fjalën zonja kryetare dhe që të shpejgojmë procedurën. Ju nga ai pozicion si kryetare e Kuvendit nuk keni të drejtë të komentoni askënd dhe s’keni të drejtë të jepni konkluza të tilla sepse vetë e hapni debatin. As nga ky pozicion si kryetare e Kuvendit s’mund të bëni ndërhyrje të tilla”,tha Shala.

Kurse Osmani tha se e di mirë leximin e rregullores së Kuvendit.

“Duhet ta kuptoni njëherë e mirë që i di fort mirë, i kam lexuar, jam katër mandate deputet por jeni mësuar ju me kryetarë kuvendesh të cilët i keni quajtur vetë banda mafioze e tash udhëheqjen e seancave në përputhje me rregulloren nuk po mund ta përballoni. Ta dini njëherë e mirë neni i rregullores në bazë të së cilës bëhen deklaratat e ministrave po ashtu thotë që në atë pjesë të rregullores mund ta marrin fjalën deputetët, qoftë për komente, qoftë për replika. Por që të dyja, duhet të bëhen në marrëveshje me kryetaren”, tha ajo.

“Zotëri ministër në këtë rast, mos fyej sepse nuk je tu u nalë. Ministri këtu po thotë mos na rrej. Po e tregon mungesën e edukatës. Kaq”, shtoi Osmani duke iu drejtuar ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt (LDK).

Kurse, Zemaj reagoi duke thënë se nuk i ka thënë Osmani “mos rrej”.

“Kryetare, të kisha lutë që si e para e Kuvendit edhe si njëra nga 120 deputetët është pak mirë që debatin ta orientoni në relaksim të situatës edhe nëse ka ndonjë tension ndërmjet deputetëve ao kabinetit qeveritar me deputetët e  Kuvendit. Nuk ju thash mos na rrej se unë jam djalë i mësueses, por mos na gënje e them atë fjalë, por vetëm thash mos na rreh se mu dok që ishe pak e tensinuar dhe ishte për ta relaksuar debatin”, tha Zemaj.

Ndërsa në vazhdom të debatit, Osmani tha se roli i saj si kryetare e Kuvendit nuk është vetëm teknik.

“Siç do të thonin miqtë tanë amerikanë “There is a new Sheriff in town” kështu që duheni të mësoheni me një lexim të drejtë, me një lexim të përpiktë, me një lexim që i trajtojnë të gjithë të barabartë por mbi të gjitha, ka shumë këtu që dëshirojnë që rolin tim si kryetare e Kuvendit të shohin si rol tërësisht teknik, ku nuk kam të drejtë të mbaj qëndrime politike. Duhet ta harroni një gjë të tillë sepse nuk ka për të ndodhë kurrë”, tha Vjosa Osmani.