Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vjosa Osmani pas dënimit të Vukotiqit: Kemi nevojë për drejtësi edhe për mijëra gra kosovare

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas dënimit të serbit Zoran Vukotiq me dhjetë vjet burgim për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës, përkatësisht për dhunim seksual.

Përmes një postimi në Twitter, Osmani ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm pasi që ky është i pari rast që është dënuar një polic serb për dhunim seksual, duke theksuar se drejtësia duhet të shkojë në vend edhe për gratë e tjera që janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Një përparim i rëndësishëm sot – për herë të parë një polic serb është dënuar për dhunim seksual gjatë kohës së luftës. Por, mos të harrojmë se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ne kemi nevojë për përgjegjësi dhe drejtësi për mijëra gra të tjera kosovare që nuk e kanë marrë atë”, ka shkruar ajo.

Zoran Vukotiq është shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës dhe është dënuar me 10 vite burgim për krime lufte  kundër popullatës civile të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kjo është aktakuza dhe rasti i parë i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, i ngritur nga prokurorët vendorë dhe i gjykuar nga gjykatësit vendorë që përfundon me aktgjykim dënues, në shkallë të parë, pasi që kujtojmë se i akuzuari ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Drita Hajdari flet pas dënimit të parë për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë