Foto: LDK facebook

Vjosa Osmani: Në Qeverinë e re me LVV-në do të përqendrohemi në rritjen e punësimit

Nënkryetarja e LDK-së,Vjosa Osmani, e shoqëruar nga anëtarët e Kryesisë, Besian Mustafa dhe Lumir Abdixhiku, kanë pritur Tao Zhang, zëvendësdrejtor menaxhues i Fondit Ndërkombëtar Monetar i shoqëruar nga Stephanie Eble, përfaqësuese e lartë rezidente, Gabriel Di Bella, shef i Misionit në Kosovë, Mentor Mehmedi, këshilltar i drejtorit ekzekutiv dhe Selim Thaçi, ekonomist.

Në njoftimin e LDK-së thuhet se Osmani ka falënderuar zëvendësdrejtorin e FMN-së për ndihmën e deritashme që e kanë dhënë për Kosovën që nga viti 1999.

“Është objektivë e jona, në kuadër të programit të Qeverisë së re, e cila do të formohet shumë shpejtë falë bashkëpunimit në mes të LDK-së dhe LVV-së, që të përqendrohemi tek rritja e punësimit ndër të rinjtë dhe gratë”, citohet të ketë thënë Osmani.

Po ashtu, nënkryetarja e LDK-së ka njoftuar zëvendësdrejtorin menaxhues i Fondit Ndërkombëtar Monetar se Qeveria e re do të fokusohet te zhvillimi ekonomik.

“Sektori privat është motori kryesor i zhvillimit ekonomik përderisa Qeveria e re do të përqendrohet tek investimet në kapitalin dhe potencialin njerëzor të qytetarëve të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim në Facebook.

Osmani në këtë takim ka shprehur gatishmërinë dhe interesin e LDK-së të thellojë bashkëpunimin me FMN-në në kuadër të programeve qeverisëse,. “LDK, si parti e qendrës së djathtë, do të sigurohet që shpenzimet buxhetore të institucioneve kosovare gjithnjë do të jenë brenda kornizës së makrostabilitetit ekonomik në Kosovë, përgjegjësisë fiskale dhe maturisë buxhetore”, thuhet tutje.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se Zhang ka falënderuar Osmanin për pritjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të promovuar nga LDK-ja në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.

“Duke falënderuar  Osmanin për zotimin për planifikim buxhetor të mirëfilltë shpalosi edhe interesimin e FMN-së drejt politikave dhe programeve që avancojnë mbrojtjen e ambientit në Kosovë dhe anekënd Botës”, thuhet në njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë përfunduar bisedimet në nivel të grupeve punuese, ku kanë diskutuar edhe për ekonominë dhe nga 40 tema  për 90 për qind të tyre janë pajtuar se çfarë reforma do të bëhen.

Takimi final për çështjen e koalicionit pritet të marrë kohë së paku deri në certifikimin e zgjedhjeve të 6 tetorit.