Ilustrim

Vjosa Osmani: Kontrata për homologim të veturave ka skaduar, nuk mund të paditet shteti

Në Kuvendin e Kosovës është duke vazhduar të diskutohet për heqjen e homologimit për veturat që vinë nga jashtë.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka deklaruar se kompania Devolli nuk ka mundësi ta dërgojë shtetin në arbitrazh për çështjen e homologimit për shkak që sipas saj, kontrata ka skaduar.

“Për ta dërguar dikë në arbitrazh ekziston një parakusht themelor, e ajo është që të ketë kontratë ndërmjet dy palëve. Kontrata e parë mes shtetit lidhur me homologimin ka skaduar, rrjedhimisht edhe e drejta e asaj palës për ta paditur shtetin në arbitrazh ka skaduar”, u shpreh Osmani.

“Është me rëndësi që të mos e vendosim shtetin tonë në një pozitë jo të mirë, sepse siç ka ndodhur në të kaluarën ka pas raste kundër shtetit, e pastaj është shteti është ai që duhet paguar. Pra, përderisa nuk ekziston një klauzolë ose së paku ne nuk jemi informuar që ka kontratë të re, atëherë me ekzistimin e ligjit nuk mund të fitojë të drejtën për arbitrazh”, ka thënë ajo.

Kuvendi i Kosovës është duke zhvilluar diskutimet për Projektligjin për ndryshim plotësimin e Ligjit për Automjete.

Hekuran Murati nga Grupi Parlamentar i LVV, tha se “ata që janë pro, janë për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve dhe Republikës, kurse, ata që janë kundër janë për të mbrojtur interesat e Devollit”.

Homologimi i veturave nxit debat e polemika mes deputetëve