Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vitia: Tenderi për 'Spitalin për COVID' u nis pa asnjë cent, shkaktoi 400 mijë euro humbje

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka treguar arsyet e anulimit të tenderit për ndërtimin e spitalit për COVID-19.

Sipas ministrit Vitia, ky tender është anuluar për shkak të mungesës së buxhetit dhe se Operatori Ekonomik ka dështuar të përmbushë kushtet e kontratës.

Sipas ministrit, nuk ka pasur planifikim për këtë spital dhe ai është nisur pa asnjë cent.

“Ne e kemi anuluar si procedurë sepse ka filluar pa pasur buxhet, pa pasur asnjë cent. Ka munguar serioziteti. Kemi vërtetuar se në Ligjin për Buxhetin të vitit 2021, por as në kornizën afatmesme të shpenzimeve e as në marrëveshje ndërkombëtare me huamarrje nga Banka Botërore e as në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, nuk ka qenë e planifikuar kjo klinikë. Buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm financiar, sepse për projektim janë paguar afro 200 mijë euro dhe janë kontraktuar po aq para edhe për mbikëqyrje të projektimit. Ndërtim ky i cili s’ka ndodhë, sepse s’ka pas para”, ka thënë Vitia.

Gjithashtu, ministri ka bërë të ditur se në bazë të vendimit të formës së prerë nga Gjykata, Ministria e Shëndetësisë është obliguar që të konfiskojë siguracionin e tenderit në vlerë prej 800 mijë eurove, ndërsa ka shtuar se kjo procedurë e prokurimit i ka shkaktuar dëme buxhetit të shtetit në vlerë prej 400 mijë eurove.

“Ka pasur edhe defekte ligjore në kuptimin që Operatori Ekonomik ka dështuar të përmbushë të gjitha kushtet e kontratës dhe për këtë shkak, Ministria e Shëndetësisë, pas vendimit të formës së prerë nga Gjykata kompetente, është dashur të konfiskojë siguracionin në vlerë prej 800 mijë eurosh. Është projekt i dështuar dhe me humbje prej 400 mijë eurove për buxhetin e shtetit”, ka përfunduar Vitia.

Ministria e Shëndetësisë e ka anuluar tenderin në 18.6 milionë eurosh për adaptimin e Klinikës së re Emergjente për nevoja të COVID-19.

Ky tender është anuluar për shkak të mungesës së buxhetit. Anulimi është bërë para hapjes së ofertave, në përputhje e Ligjin për Prokurim Publik.

“Duke marrë parasysh se në buxhetin e miratuar për vitin 2021 nuk është paraparë buxhet për këtë projekt, kërkojmë anulimin e aktivitetit të prokurimit për arsye të mungesës së buxhetit”, thuhej në kërkesën e Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë nën udhëheqjen e ish ministrit Armend Zemaj e kishte shpallur tenderin për adaptimin e Klinikës se Re Emergjente për nevoja të COVID-19 më 23 dhjetor 2020.

Kjo ministri kishte parashikuar të shpenzojë 18,683,463 (mbi 18.6 milionë) euro për realizimin e punimeve ndërtimore dhe të infrastrukturës përcjellëse, për vazhdimin e punimeve dhe adaptimin e objektit ekzistues të Klinikës së Re të Emergjencës në QKUK, në spital për menaxhim klinik të rasteve me COVID-19.

Sipas njoftimit për kontratë, punët duhet të përfundonin brenda 5 muajve nga nënshkrimi i kontratës mes kompanisë fituese dhe autoritetit kontraktues.

Ministria kishte kërkuar që operativa në punishte të jetë emergjente, pa ndërprerje 24/7.

Në vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 5 korrik 2020, kërkohej nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente shëndetësore të ndërmarrin veprimet e nevojshme për rritjen e kapaciteteve të trajtimit për COVID-19.

“Duke marrë parasysh vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë të datës 16 shtator 2020, sipas të cilit projekti i Klinikës Emergjente në QKUK – lejohet të adaptohet për shfrytëzimin e objektit si hapësirë spitalore për trajtimin e pacientëve me COVID-19, fillimisht është kryer procedura e ri-projektimit sipas nevojave të reja për COVID-19, dhe në bazë të projektit të ri nga Njësia e Kërkesës në MSh është kërkuar procedimi emergjent i aktivitetit të prokurimit, për kontraktimin e një punëkryesi profesional për realizimin e punëve”, vazhdon njoftimi kontraktual.

Tenderi ishte pezulluar në fillim të muajit janar dhe që nga atëherë, nuk ka pasur ndonjë vendim të publikuar në lidhje me këtë tender.

Ministria e Shëndetësisë anulon tenderin 18.6 milionë euro për ‘Spitalin për COVID’