Foto: KALLXO.com

VIDEO: Tërmeti dëmton shkollën në Pozharan të Vitisë

Tri vjet e gjysmë më parë, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, kishte premtuar shkollë të re për nxënësit e fshatit më të madh të kësaj komune, Pozharanit.

Premtimin ai e kishte bërë publik në një debat në emisionin ‘Jeta në Komunë’.

“Shkolla e re tash ka hy në buxhet, sepse shkolla e re na nevojitet aty. Ndërtimi i shkollës së re do të fillojë shumë shpejt… Do të bëhet edhe revitalizimi i kësaj shkollës së vjetër në mënyrë që deri më 2017-ën (të kryhet shkolla e re)”, thoshte thënë Haliti në emisionin Jeta në Komunë.

Tri vjet pas, godina e shkollës së vjetër qëndron ende në mes të fshatit, por tash e dy javë nxënësit nuk po mund të hyjnë në të për të mbajtur mësim.

Një tërmet që e goditi Shqipërinë më 26 nëntor u ndie edhe në Kosovë.

Foto: KALLXO.com

Dhe shkolla e Pozharanit, në të cilën mësojnë mbi 480 nxënës, duket se pësoi më së keqi nga dridhjet.

Meqë çarjet në strukturën e objektit janë të mëdha, mësimi në këtë shkollë u ndërpre për dy ditë.

Tani, mbi 450 nxënës të Pozharanit vazhdojnë mësimin me orar të shkurtuar në objektin e një shkolle tjetër.

Ditën që ndodhi tërmeti, drejtorja e shkollës “Halil Alidemaj”, Drita Pira, kishte njoftuar drejtorinë e Arsimit në Komunën e Vitisë.

“Mësimi në shkollën tonë është ndalë me datën 26 (nëntor), pasi tërmetit që ndodhi në Shqipëri, në të njëjtën ditë e kemi vërejtur në shkollë që ka plasaritje të mëdha dhe i kemi njoftuar drejtorinë komunale të arsimit në Viti, të cilët menjëherë kanë dërguar një ekip ekspertësh dhe kanë konstatu që gjendja në këtë shkollë nuk i plotëson kushtet për me vazhdu mësimin”, ka thënë drejtoresha e shkollës, Drita Pira.

Këtë e konfirmon edhe raporti i vlerësimit të gjendjes i cili u formua nga Komuna e Vitisë.

Sipas këtij raporti, zhvillimi i mësimit në këtë objekt shkollor është i rrezikshëm.

Në mënyrë që mësimi të vazhdojë për nxënësit e shkollës, nga 2 dhjetori mësimi është zhvendosur në shkollën e mese të fshatit Pozharan.

Sipas drejtoreshës, Drita Pira, mësimi tani po mbahet në tri ndërrime dhe me orar të shkurtuar deri në ndërtimin e shkollës së re.

“Që nga data 2 dhjetor ne veç e kemi filluar mësimin në shkollën e mesme të lartë “Kongresi i Manastirit” këtu që ndodhet brenda oborrit të shkollës dhe të shohim në bazë të punimeve sepse shkolla e re është duke u ndërtuar mirëpo ka pak vonesa në ndërtim, shpresojmë që në një të ardhme të afërt do të kryhen punimet dhe në fillim të Pranverës të vazhdojmë mësimin te shkolla e re”, tha ajo për KALLXO.com.

Objekti në të cilin u ndërpre mësimi pas dëmeve të tërmetit është i vjetër rreth 60 vjet.

Një shkollë e re ka filluar ndërtimin në Pozharan. Por, ende nuk është as afër të përfundojë, ndonëse punët kanë nisur në vitin 2016.

Foto: KALLXO.com

Të martën madje, nuk u punua fare në vendpunishten e shkollës.

Projekti për ndërtimin e objektit të ri të shkollës “Halil Alidemaj” është duke u menaxhuar nga Ministria e Administratës Publike.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Vitisë, Fatbardha Emini, tha se janë duke kërkuar që të përfundojë sa më parë për shkak të gjendjes së krijuar.

“Ne jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme që Ministria e Administratës Publike, e cila është përgjegjëse për ndertin e objektit të ri të shkollës fillore “Halil Alidemaj” t’i përfundoj punët sa më shpejtë sepse është një projekt që u zgjatë jashtëzakonisht shumë dhe nuk ka më arsye që ai projekt të arsyetohet në asnjë formë”, thotë ajo.

Kjo shkollë sipas planit dinamik është dashur të përfundojë këtë vit, por objekti ende nuk është afër përfundimit.

Emini beson që në fillim të pranverës do të përfundojnë të gjitha ndërtimet atje.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Administratës Publike për të kërkuar përgjigje se pse janë zvarritu punimet  në këtë shkollë por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.