VIDEO – Protesta e bujkut llapjan, sjell traktorin me sanë para Ministrisë së Bujqësisë

Nexhmi Hyseni, bujk nga fshati Batllavë i komunës së Podujevës, ka protestuar sot i vetëm para Ministrisë së Bujqësisë për dorëzimin e të gjitha mjeteve që, sipas tij, i janë dhënë në emër të dikujt tjetër dhe me çmim të falsifikuar.

Hyseni thotë se këto mjete i janë dhuruar në vitin 2013 por që sot ka ardhur t’i dorëzojë në shenjë proteste.

“Ministria e Bujqësisë qe 10 vite që jam duke trokitur në derën e tyre arsyetohen nën pretekstin se po bëj hartime, sot erdha t’ua dhuroj këto mjete prapë. Këto mjete më janë dhuruar në vitin 2013 por prej 2010 kanë filluar të më hakmerren. Kjo është vetëm dita e parë sepse fermerë të pakënaqur ka shumë nëpër Kosovë”, u shpreh bujku.

Sipas Hysenit e gjitha ka filluar në vitin 2010 ku për një pajisje të hequr janë futur dokumenta tjera në emër të tij.

“Në vitin 2010 ma kanë hequr një pajisje dhe kanë futur tjera dokumenta në emër timin, qe 10 vite jam duke pritë me dalë në gjykatë, për një vendim duhet me pritë 6 vite pra jam në procedura gjyqësore. E për këtë periudhe asnjë fermer nuk mund të mbijetojë, unë fal shokëve dhe kredive kam arrit deri këtu,” tha ai.

Hyseni tha se traktori për të cilin pagoi 40 mijë euro të njëjtin e ka gjetur me çmim 20 mijë e 500 euro.

“Sipas kritereve të ministrisë ky traktor që unë e kam paguar 40 mijë euro i njëjti në treg gjendet 20 mijë e 500 euro,” tha Hyseni.

Disa prej pankartave që u përdorën në protestë mbanin këto mbishkrime: “Prokurori e shtetit aman, aman ku je krimin në AZHB e ke”, ” A duhet të protestojë apo të punojë”.

Për fund Hyseni iu drejtua ministrit të Bujqësisë me pyetjen nëse e kanë ndërmend të fillojnë të merren më bujqësinë si duhet apo të largohemi nga Kosova.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Bujqësisë rreth akuzave të Nexhmi Hysenit dhe është në pritje të përgjigjeve.