VIDEO: Ministri Selimi shuan Departamentin e hetimeve mjekoligjore të krimeve të luftës

Ka mjaftuar nënshkrimi i ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, që të shuhet një Departament i tërë që parashihte hetimin shkencor dhe mjekoligjor të krimeve të luftës në Kosovë.

Bëhet fjalë për Rregulloren e Brendshme të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Rregullore e cila është nënshkruar me 1 korrik 2020 nga Selimi, e që hyn në fuqi nga 3 janari i vitit 2021.

Kundër kësaj Rregullore të nënshkruar kanë dalë shumica e punëtorëve dhe ekspertëve mjekoligjor të Institutit të Mjekësisë Ligjore, pasi sipas tyre, përveç që është e kundërligjshme, ka rrëzuar një nga shtyllat kryesore të këtij Instituti, atë të Hulumtimit.

Për hartimin e Rregullores kanë marrë pjesë në grupe punuese ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, në të cilat grupe punuese, ekspertët vendorë pretendojnë se janë injoruar në tërësi propozimet, sugjerimet dhe vërejtjet e tyre.

Nardi Sheqerxhiu është magjistër i Farmacisë, ndërsa në Institutin e Mjekësisë Ligjore mban pozitën e Toksikologut Mjekoligjor.

Duke qenë edhe vetë pjesë e grupit punues të ekspertëve, Sheqerxhiu thotë se pasi Selimi e ka marrë pozitën në qershor 2020, janë takuar me ministrin dhe ky i fundit është arsyetuar për nënshkrimin e kësaj Rregullore se ka qenë kushtëzim nga Zyra e Bashkimit Evropian, që të zhbllokohen fondet e projektit IPA.

“Duke mos qenë të informuar totalisht, as si grup punues e as si staf ne nuk kemi pasur informata për kushtëzime procedurale apo diçka të tillë. Mirëpo ne e dijmë se asnjë fond, asnjë zyre e Bashkimit Evropian nuk jep kushtëzim që t`i ta shkelësh ligjin, për qëllimet e fondit. Sepse sundimi i ligjit është prioritet i IPA-s. Nuk është se Rregullorja për sistematizimin ka qenë në kundërshtim me ligjet e Bashkimit Evropian. Pikërisht Ligji për Administratë Publike është konform ligjeve të Bashkimit Evropian”, ka thënë Sheqerxhiu për KALLXO.com.

Para nënshkrimit të Rregullores, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka qenë i organizuar duke u bazuar fillimisht në Ligjin për Departamentin e Mjekësisë Ligjore që ishte miratuar në vitin 2009, e më pas në Ligjin për Mjekësi Ligjore të vitit 2016, kur edhe është quajtur Institut. Ligji i vitit 2016 sqaronte nevojën për hartimin e Rregullores së Brendshme, për sistematizimin e Departamenteve dhe pozitave.

Instituti përbëhej nga tre Divizione: Divizioni për Mjekësi Ligjore; Divizioni për Hulumtime dhe Ngritje të Kapaciteteve, Shërbime të Përgjithshme dhe Logjistikë; dhe Divizioni për Koordinim dhe Përkrahje.

Në kuadër të Divizionit për Hulumtime ishin: Sektori i trajnimeve dhe specializimeve mjeko-ligjore; Sektori për Akreditim, Certifikim, Hulumtime dhe Statistikë; dhe Sektori për Punë të Përgjithshme dhe Logjistike.

Propozimi i ekspertëve mjekoligjor të IML-së, ka qenë se ky Divizion të ngritet në Departament dhe ndër të tjera, parashikonte që të fillojë hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Naim Uka është një tjetër ekspert. Ai është specialist i Mjekësisë Ligjore, ndërsa në IML është udhëheqës i Divizionit për Identifikim, Koordinim dhe Përkrahje, divizion ky që merret me çështjen e të pagjeturve.

Ai tregon rëndësinë e Departamentit për Hulumtime në kuadër të IML-së.

“Divizioni për Hulumtime në kuadër të IML-së, e ka për përgjegjësi hulumtimin e gjetjeve mjekoligjore, mbi bazën e të cilave gjetje mjekoligjore, krijohet edhe akuzë kundër kriminelëve të cilët kanë kryer krime. Ato gjetje mjekoligjore shndërrohen në prova shkencore të cilat mund të publikohen në gazeta shkencore ndërkombëtare, duke u bërë njëkohësisht sensibilizimi i opinionit ndërkombëtar me gjendjen që ka ekzistu gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë Uka.

Uka thotë se duke ofruar fakte shkencore të cilat më pas mund të shndërrohen në prova juridike për ndërtimin e aktakuzave nga secili prokuror i krimeve të luftës të shtetit të Kosovës.

“Mirëpo kjo tingëllon jashtëzakonisht rrezikshëm nëse dikush është kundër hulumtimit të krimeve të luftës. Me vetë faktin se këta persona që po e kundërshtojnë me aq zell dhe me aq përkushtim ekzistimin e divizionit për hulumtime dhe Ngritje të Kapaciteteve, janë faktikisht edhe kundër hetimit mjekoligjor të krimeve të luftës”, thotë Uka.

Në anën tjetër, përmes një përgjigje me shkrim, Ministria e Drejtësisë ka thënë se Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, në bazë të të cilit është organizimi i IML-së, nuk njeh tituj shkencor, hulumtues dhe as aktivitete kërkimore.

Sipas Ministrisë, në përgjithësi departamentet e hulumtimit janë pjesë e Universiteteve, siç është Katedra e Mjekësisë Ligjore në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Prishtinës.

“Në Universitetin e  Prishtinës, respektivisht në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë funksionin Katedra e Mjekësisë Ligjore si pjesë organizative, e cila kryen veprimtari kërkimore-shkencore, andaj një duplifikim i tillë i strukturës organizative nuk do të ishte i pranueshëm”, thuhet në përgjigjen e MD-së dhënë për KALLXO.com.

Ndërsa, Sheqerxhiu thotë se pikërisht Ligji për Administratë Publike është konform ligjeve të Bashkimit Evropian dhe sipas tij, Rregulloret që dalin në përputhshmëri me Ligjet e BE-së, kushtimisht duhet të jenë në përputhshmëri me direktivat e BE-së.

“Rregullorja nëse është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Administratë Publike dhe rregulloret për sistematizim, i bie që qenka në kundërshtim me ligjet e BE-së. Nëse kemi një kronologji të tillë i bie që Rregullorja është në kundërshtim me ligjet e BE-së”, thotë ai.

Kurse Uka pretendon se eliminimi i plotë i Departamentit, që deri më tash është quajtur Divizion për Hulumtime, është në kundërshtim të plotë me vetë Ligjin.

“Më lejoni të theksoj këtu se në Ligjin për Mjekësi Ligjore, në nenin 15, paragrafin 1.6, thuhet te veprimtaria e Institutit, e thotë qartë: Instituti është përgjegjës për kryerjen e veprimtarive në vijim: ..veprimtarive profesionale, arsimore dhe shkencore hulumtuese në pajtim me ligjin. Do të thotë Rregullorja është në kundërshtim me ligjin”, tha ai.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, po ashtu në një përgjigje me shkrim, ka thënë se Rregullorja nuk ndalon marrjen me hulumtime shkencore, kurse roli i IML-së është analizuar edhe nga ekspertët e jashtëm.

“Me Rregullore është krijuar Divizioni për Burime Njerëzore, i cili përveç çështjeve tjera ka edhe ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve në mënyrë të vazhdueshme për stafin e IML-së. Kjo Rregullore nuk e ndalon marrjen me hulumtime shkencore dhe shfrytëzim të materialeve, konform Standardeve Operative Profesionale për shfrytëzimin e materialeve dhe fotove të cilat kërkojnë qasje ligjore në rastet e veprave penale”, ka thënë Gërxhaliu.

Një tjetër çështje që punëtorët e IML-së po kundërshtojnë hyrjen në fuqi të kësaj Rregullore, është edhe çështja e të zhdukurve.

Ata thonë se Rregullorja e re ka degraduar këtë çështje, pasi ka mbetur e organizuar vetëm në Divizion në kuadër të Departamentit për Mjekësi Ligjore. Ekspertët e IML-së kanë kërkuar që të jetë Departament i veçantë për të zhdukurit.

“Në momentin kur e kthen në Divizion ne e shohim si zbehje e nivelit të përgjegjësisë të secilit sektorë, për arsye se është një ndër sektorët më të rëndësishëm të IML-së, si dhe i vendit. Për arsye se kemi raste shumë të ndjeshme gjatë rasteve që kanë qenë”, thotë Nardi Sheqerxhiu.

Ndërsa Ministria e Drejtësisë thotë se struktura e re organizative që e cakton Rregullorja, do të lehtësojë akreditimin e Institutit.

“Struktura e re organizative do të lehtësojë akreditimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili do të rrisë besimin e publikut, sepse akreditimi është një shenjë e pranueshme e aprovimit. Instituti i Mjekësisë Ligjore do të jetë në gjendje të sigurojë shërbime të pavarura mjeko ligjore në mënyrë transparente, profesionale dhe efikase në përputhje me standardet evropiane”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë.

Ndërsa Naim Uka thotë se në kohën kur ende ka numër të madh të të pagjeturve, vjen propozimi që struktura ekzistuese të ulet në një nivel më poshtë.

“Në kohën kur i kemi 1634 akoma të pagjetur, në kohën kur do të ballafaqohemi shumë shpejtë me keq identifikimet mjekoligjore të cilat me u shpreh në numër janë përafërsisht 2500-3000. Në kohën kur na presin përgjegjësi jashtëzakonisht të mëdha në fushën e të pagjeturve, vjen propozimi që kjo strukturë ekzistuese të shndërrohet në një strukturë më të ulët, me kurrfarë arsyetimi”, thotë Uka.

Në anën tjetër, ministri Selim Selimi po përgatit themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. Takimi i parë i grupit punues për themelimin e këtij Instituti, veçse është mbajtur me 21 dhjetor të këtij viti. Ndërsa nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, pjesë e grupit punues është vetëm drejtori, Arsim Gërxhaliu.