VIDEO - Komuna e Prishtinës paralajmëron plotësim-ndryshimin e rregullores së ‘Prishtina Parking’

Reagimet e protestat e qytetarëve të Prishtinës në lidhje me “konfliktet” e vazhdueshme me Ndërmarrjen Publike të Komunës së Prishtinës, “Prishtina Parking” ka marrë vëmendjen e Kuvendit Komunal të kryeqytetit.

Kryeshefi i Ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Liridon Resteclia ka raportuar në Kuvendin Komunal për shkak të ankesave të banorëve të atyre lagjeve që parkingjet u kanë kaluar nën menaxhimin e Ndërmarrjes.

Përvec kryeshefit Restelica, në Kuvend Komunal kanë marrë pjesë edhe dy qytetarë, si përfaqësues të qytetarëve protestues.

Fillimisht, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj deklaroi se do të formohet një komision për plotësim-ndryshimin e rregullores.

Ky komision përbëhet nga Arbër Sadiki, drejtor i Urbanizimit, Doruntinë Maloku, drejtoreshë e Pronave, Florian Dushi, Drejtor i Inspeksionit, Ilirik Musliu, Drejtor i Shërbimeve Publike, Mimoza Sylemani, drejtoreshë e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Zogaj tha se të gjithë asamblistët do të kenë mundësi të komentojnë për këtë rregulloren e re, po ashtu edhe qytetarët përmes dëgjimit publik.

“Janë diskutu problemet kyçe, ankesat që kanë ardhur nga qytetarët. Jemi duke punuar, shumë shpejtë do ta kemi rregulloren që do të ketë të gjitha zgjidhjet për problemet që janë aktualisht”, tha ai.

Ndërkaq kryeshefi Liridon Restelica tha se kërkon që të bëhet plotësim-ndryshimi i termit “autorizimet e inspektorit të Prishtina Parkingut”.

“Një çështje shumë problematike jo vetëm për Prishtina Parkingun por për keqinterpretimin e disa mediave që e kanë bërë në raport me menaxhimin e Prishtina Parkingut, është se tek neni 21, thuhet se janë autorizimet e inspektorit. Termi inspektor, fillimisht nuk e kam pranuar për kontrollerët tanë që bëjnë kontrollet e veturave, e kemi diskutuar shumë gjatë dhe e kemi nxjerrë si term – kontrollor dhe jo inspektor. Sepse kjo bie ndesh, sepse inspektorë ka edhe drejtoria e inspeksioni, drejtoria e shërbimeve publike e të gjitha drejtoritë. Në neni 21 e jep autorizimin e inspektorit, ndërsa përshkrimi i aktivitetit, është aktivitet i një inspektori të Prishtina Parkingut. Nuk ka të bëjë me inspektoriat”, tha Restelica.

Ndërsa për shefin e grupit të asamblistëve të LVV-së, fjalimi i Restelicës për të sqaruar termin “Inspektor” dhe “Kontrollor” është lojë fjalësh.

“Drejtori po e bënë një lojë fjalësh shumë të mirë te autorizimet e inspektoriatit është shumë e qartë që kemi të bëjmë me drejtorinë e inspektoriatit. Ti leja emrin qysh dush punëtorëve, por rregullorja e përmend emrin e inspektorit. Punëtorët e tu janë ata që shesin bileta, e kontrollojnë a ka kalu koha, puna tjetër është e inspektoratit”, tha asamblisti i LVV-së.

“Propozojë që në këtë fazë, deri në miratimin e rregullores së re, të bëhet një pezullim i zgjerimit të aktiviteteve jo me ndalë punën. Por me i zgjeru aktivitet derisa sa qartë të bëhet rregullorja e re dhe të vazhdohet me punë”, tha tutje ai.

Asamblist Fadil Aliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), propozoi që të bëhet një fushatë vetëdijësuese kur të zgjerohet aktiviteti që sipas tij, mos të ketë ankesa më pas nga banorët.

“Është e vërtetë që mediat kanë raportuar shumë për Prishtina Parking-un për shumë çështje, një pjesë janë tendicioze ose për shkak të mosinformimit të tyre për kompetencat e Prishtina Parkingun, por na e mirëpresim se draftimin e rregullores së re që do t’i rregullonte të gjitha këto paqartësi. Është mirë që kur të zgjerohet aktiviteti në një rrugë të re me pas një fushate vetdijësuese se një numër ankesa kanë ardhur “na skena pagu deri dje, na nuk e kena ditë””, tha ai.

Kurse, Leutrim Retkoceri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), u ankua për faktin se Kuvendi Komunal është injoruar kur është vendosur të ftohet Restelica në raportim. Sipas tij, është dashtë që anëtarët e Kuvendit Komunal të votojnë paraprakisht për ta lejuar raportimin e kryeshefit.

Ndërsa për punën e ndërmarrjes, Retkoceri tha që nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Është mirë që projekti i Prishtina Parking ka filluar me u implentu por e ka një arsyeje, me e bë jetën ma të lehtë për qytetarët. Qasja se si ka fillu me u implentu nuk është më e mira e mundshme. Kemi ankesa nga banorët ani pse banorët e përkrahin me u rregullu. Një fushatë vetdijesuese ka mungu, me iu sqaru dispozitat në dobi të interesit publik sepse ky ka qenë qëllimi. Sinjalizimi i vendparkingjet në secilën lagje ka qenë i mangët”, tha asamblisti i PDK-së, Retkoceri..

Më pas fjala iu dha edhe përfaqësuesit të lagjes Lakrishtë, Jahë Balaj. Ai shprehu pakënaqësitë me menaxhimin e Prishtina Parking, teksa shtoi se rregullorja aktuale është joligjore.

Ai kërkoi që të pezullohet aktiviteti deri në një rregullore të re.

“Nuk jam anëtar i asnjë partie politike, jam banor rezident i lagjes Lakrishtë, edhe ti i ki dokumente e mia në zyre. Kjo rregullore që paska hy në rishqyrtim është e kundërligjshme edhe shkel një mori ligjesh që disa prej tyre i kam këtu. E shkel nenin 5, ai nuk është i policisë por i rregullimit të trafikut rrugor dhe të ligjit për bashkëpronësinë. Nuk jemi kundër menaxhimit, asnjë banor nuk është kundërmenaxhimit por keqtrajtimit si banor rezident. Jam gëzu kur ka fillu punën në rrugët e qytetit, s’jemi kundër. Por, pse duhet banori rezident që parkohet me pagu 7 euro, kur ka fatura tjera që i paguajmë më lirë e që na japin shërbim, kjo ndërmarrje s’po na jep asnjë shërbim”, tha ai.

“Nuk jemi kafshë, pse duhet me na e blloku veturën, a e kam shkel ligjin ma jep dënimin, unë duhet me pagu tani atë dënim. Nuk ju shërbejmë na juve, ju neve. Pse na trajtoni kështu? Na quani pula që kokurisim, pardje na ka quajtë njerëz që nuk jemi rezident, krejt dokumentet i kam dërgu për me ia dëshmu. Po na ofendoni bre, ky [Liridon Restelica] sante duhet me u shkarku, këta sillen si bandita. Këta kanë bllokada sa krejt Policia. Policia nuk na jep asnjë dokument sepse nuk kanë”, u shpreh ai.