Z Mobile dhe Telekomi i Kosovës

Vetëvendosje thotë se numrat janë të VALA-s, jo të Z- Mobile

Të gjithë numrat që janë në pronësi të “Z- mobile”, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, duhet t’i kthehen VALA-s.

“Kanë kaluar 9 ditë nga përfundimi i kontratës që Telekomi i Kosovës pati me ish Z-Mobile. Brenda 30 ditëve duhet që numrat e kësaj të fundit të rikthehen aty ku e kanë vendin, pra në kompaninë mëmë, në Telekomin e Kosovës”, thuhet në një reagim të partisë së Albin Kurtit.

VV ka kërkuar nga ARKEP-i dhe zyrtarët përgjegjës që mos të krijojnë pengesa në këtë çështje.

“Autoriteti Rregullativ (ARKP), Bordi dhe zyrtarët përgjegjës, marrë parasysh ligjin dhe interesin publik të mos krijojnë asnjë pengesë. Opinionet a shpjegimet që dekurajojnë, relativizojnë, pengojnë, këtë proces tejet të rëndësishëm i shkojnë përshtat dëmtuesve të Telekomit”, thuhet tutje në njoftimin e LVV-së.

“Çdokush që e vonon këtë proces, apo e devijon, do të jetë padyshim, subjekt i proceseve të ardhshme gjyqësore, ku do të përllogariten dëmet e shkaktuara nga kontrata dhjetëvjeçare PTK-Dardafone. Në të cilën ish anëtarët e bordeve kanë të Rregullatorit kanë pasur rol tejet destruktiv”, thuhet tutje në reagimin e kësaj partie.

LVV thotë se numrat e Z- mobile janë vetëm të VALA-s dhe të askujt tjetër.

“Numrat, pra, janë të Valës sepse abonentët që i kanë ata numra e shfrytëzojnë infrastrukturën e Valës, ndaj nuk mund te jenë të askujt tjetër përveçse të Valës. Telekomi i Kosovës duhet t’i kalojë edhe praktikisht nën administrimin e vet menjëherë e pa vonesë. Alibi procedurale dhe ligjore për pritje nuk ka”, thuhet në fund të reagimit.

Fundi i kontratës 10 vjeçare me Z-Mobile

www.kallxo.com