Ndarja e Z-Mobile dhe Telekomi i Kosovës Grafika: Krenar Ferizi

Fundi i kontratës 10 vjeçare me Z-Mobile

Në fund të muajit korrik ka përfunduar kontrata 10 vjeçare mes Telekomit të Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile).

Kontrata e cila ka ngritur shumë pluhur për dëmet që ia ka shkaktuar Telekomit të Kosovës ka përfunduar pas gjashtë muaj negociata të pasuksesshme për ndonjë marrëveshje të re.

Vendimin për përfundimin e kontratës e kanë bërë të ditur më 30 korrik, kryetarja e Bordit, Besa Shatri – Berisha dhe kryeshefi ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.

“Bordi i drejtorëve njofton se pas një periudhe 6 mujore të negociatave nuk kanë arritur marrëveshje mbi kushtet e reja prandaj sot, Kryeshefi Ekzekutiv ka dërguar njoftim me vendim të Bordit për shpallje të pasuksesshme, për përfundim të kontratës me Z Mobile nga data 31 korrik”, ka thënë Shatri – Berisha.

Ndërsa kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi e shpalli kontratën si të përfunduar dhe pa asnjë obligim kontraktual.

Njoftimi i menaxhmentit të Telekomit të Kosovës u bë para qindra punëtorëve të cilët për dy ditë kanë qenë në grevë kundër vazhdimit të kontratës me Dardafon (Z-mobile).

Kumtimi i lajmit bëri që punëtorët që ishin mbledhur në korridorin e katit të parë të objektit të Telekomit të Kosovës të shpërthenin në duartrokitje.

Përveç njoftimit për mos vazhdimin e kontratës me Z-Mobile, kryeshefi Istrefi tregoi edhe se çfarë do të ndodhë me konsumatorët që kanë numrat e Z-Mobile.

Istrefi deklaroi se janë në bisedime me ARKEP për numrat e Z-Mobile duke shtuar se do të ketë një periudhë tranzicioni por nuk do të ketë ndërprerje të tyre.

“Sot gjatë ditës kemi qenë në kontakt me ARKEP, i lus të gjithë që mos me bo panik, ose dezinformatë, ne jemi duke punuar bashkë me ARKEP in, do të ketë një periudhë tranzicioni nga 30 deri 120 ditë, në asnjë mënyrë nuk do të ndërpriten numrat”, ka thënë Istrefi.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka deklaruar se dje është njoftuar zyrtarisht për mos vazhdimin e kontratës ndërmjet operatorit Telekomi i Kosovës dhe operatorit Dardafon (Z-Mobile).

ARKEP është duke analizuar situatën e krijuar dhe në pajtueshmëri me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi do të ndërmarrë veprime rregullative nëse një gjë e tillë është e nevojshme në ditët në vijim, pas sqarimeve të pranuara nga palët në proces.

Sa i përket çështjes së numrave të kompanisë, Z-Mobile e konsideron kundërligjor kalimin e përdoruesve të tyre në pronësi të Telekomit.

“Gjithashtu, nga deklarimet, kemi vërejtur se Telekomi synon ta bëjë edhe një veprim tjetër kundërligjor, marrjen e numrave dhe konsumatorëve të Z Mobile, duke e quajtur “periudhë transicioni”. Kjo është shumë e çuditshme, për shkak se edhe Telekomi e di se numrat e Z Mobile janë pronë e kësaj kompanie dhe ato nuk mund të konfiskohen nga ndonjë kompani tjetër, as publike as private. Veprimet e tilla eventuale janë arbitrare dhe do te kenë konsekuenca juridike”, thuhet në reagim.

Z-Mobile shton se është kompani e përgjegjshme dhe do të bëjë zgjidhje për konsumatorët e saj, duke shfrytëzuar deri ne fund të gjitha mundësitë ligjore.

“Ne i falënderojmë konsumatorët tanë për besnikërinë dhe i njoftojmë se nuk ka hapësirë për shqetësim, e as për të rënë nën ndikimin e fushatës publike kundër një kompanie private ushtruar nga Telekomi dhe aksionarët e saj”, përfundon deklarata e tyre dërguar për KALLXO.com.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi ka njoftuar gjithashtu se janë duke përgatitur një padi ndaj Dardafone (Z-Mobile) për humbjet e shkaktuara ndaj Telekomit të Kosovës.

Istrefi nuk ka treguar se sa është shumë e dëmit të shkaktuar nga kontrata 10 vjeçare me Z-Mobile. Më tej Istrefi ka shtuar se këto detaje janë pjesë e ekspertizës financiare që është realizuar nga ekspertët dhe do të përdoren në padinë e cila është duke u përgatitur për Dardafone (Z-mobile).

“Janë detaje të ekspertizës së raportit financiar që është përgatitur nga ekspertët, janë detaje pak konfidenciale. Kisha kërku që ato të përdoren për çështje interne të Telekomit të Kosovës pasi që jemi në fazën e përgatitjes së një padie për humbjet e shkaktuara ndaj Telekomit të Kosovës”, ka deklaruar Istrefi në konferencën për media ku edhe u dha lajmi e kontrata me Z-Mobile nuk do të vazhdohet më.

Arsyetimi i vendimit për mos vazhdim të kontratës

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se edhe ata edhe Dardafon (Z-Mobile) kanë krijuar nga një ekip negociator të cilët për një periudhë 6 mujore janë takuar për një marrëveshje të re eventuale mes tyre.

Në këtë vendim thuhet se të gjitha takimet ishin iniciuar nga Telekomi i Kosovës dhe asnjë aga pala tjetër negocuese.

Në njërën nga pikat në vendim shkruhet se vetëm Telekomi kishte dhënë propozime konkrete për një marrëveshje të re.

Në konferencën për media, ku u bë i ditur edhe vendimi i Telekomi të Kosovës, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi tha se Telekomi i Kosovës kishte ofruar 20 propozime, dhe prej tyre, vetëm në 3 kishte pasur pajtueshmëri nga ana e Dardafon (Z-Mobile).

“Në asnjërën prej 17 refuzimeve nuk keni ofruar arsye valide por refuzimet i bazuat në vlerësimet paushallë dhe të paargumentuara”, thuhet në vendimin e Telekomit.

Në pikën 8 të vendimit të Telekomit të Kosovës, Dardafon (Z-Mobile) akuzohet për qasje destruktive dhe shkelje të parimeve të mirëbesimit, ndershmërisë dhe ndërgjegjshmërisë. Kjo në lidhje me aplikimin e Z-Mobile për licencë në ARKEP.

“Më datën 21 qershor 2019, pa asnjë njoftim paraprak dhe në fshehtësi të plotë nga Telekom, Dardafon kishte aplikuar për Licencë për operatorin e tretë të telekomunikacionit pranë rregullatorit – ARKEP, përkundër detyrimit kontraktues për negociata me mirëbesim në statusin MVNO. Për këtë veprim tuajin, Telekomi e kuptoi nga mediat”, thuhet në vendimin e Telekomit.

Telekomi ka theksuar se në përfundim të periudhës 6 mujore të negocimit, Dardafon ka pasur qëllim që të ketë shtyrje të këtij afati, duke e konsideruar këtë si periudhë të shkurtë për të kthyer përgjigje.

“Pra këtij propozimi fshihej qëllimi i vërtetë identifikohej qëllimi i vërtetë i Dardafon (Z-Mobile) që me shtyrjen e afatit ta krijojë gjendjen faktike e cila do të mund të interpretohej si pëlqim i Telekomit për vazhdimin e marrëveshjes së 16 janarit 2009”, thuhet në arsyetimin e Telekomit në vendim.

Telekomi i Kosovës kishte dërguar ofertë në drejtim të Z-Mobile më 18 korrik 2019, por kishte marrë përgjigje për këtë vetëm një ditë para përfundimit të kontratës.

“Ju rikujtoj se Telekomi iu dërgoi ofertën komerciale plot 12 ditë para skadimit të afatit për negocim. Dhe ju prej 12 ditëve në dispozicion, përgjigjet e bllokuat plot 11 ditë duke e dërguar të njëjtin me një element të kundër ofertës, vetëm një ditë para skadimit të saj”, vazhdon vendimi i Telekomit.

Oferta e ofruar nga Z-Mobile sipas Telekomit

Prej 20 propozimeve nga ana e Telekomit të Kosovës, Dardafon (Z-mobile) kishte refuzuar 17 prej tyre. Dardafon (Z-Mobile) nuk e kishte ofruar asnjë propozim në lidhje me ndonjë marrëveshje të mundshme deri një ditë para përfundimit të afatit të negocimit.

Telekomi i Kosovës në vendimin e saj ka theksuar se në përgjigjen e Dardafon (Z-Mobile) e cila ishte dërguar më 29 korrik ishte dhënë një ofertë për ndarjen e të hyrave në proporcionin 33% për Telekomin e Kosovës dhe 67% për Dardafon (Z-Mobile) me mundësi të shtesë për diskutim rreth alternativës, ndarjes në nivelin e barabartë.

“Me këtë propozim jo vetëm që synoni të cenoni parimin e ekuivalencës  së prestimeve, por fitohet përshtypja se keni ngatërruar statusin MVO me MVNO”, thuhet në përgjigjen e Telekomit të Kosovës ndaj kërkesës së Dardafon (Z-Mobile).

Telekomi ka vlerësuar se qëndrimi refuzues i Dardafon (Z-Mobile) ndaj të gjitha propozimeve të Telekomit dhe oferta e Dardafon (Z-Mobile) për ndarje të e të hyrave e cila është ndërtuar në kundërshtim me parimin e ekuivalencës së prestimeve dhe skadimi i afatit të negocimeve, e pamundësojnë arritjen e çfarëdo marrëveshje të re.

“Të gjendur në pozitën faktike të përshkruar si më lart e cila është krijuar si pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve-mosveprimeve të Dardafon-it në kundërshtim me parimin e mirëbesimit, për të cilin ishte zotuar në Marrëveshjen e datës 16 janar 2009 dhe në kundërshtim edhe me parimet tjera të legjislacionit aktual të Republikës së Kosovës të cekura më lart, dhe nisur nga fakti i skadimit të afatit të kontraktuar 6 mujor për negocim pa asnjë rezultat konkret dhe kualitativ, Telekomi iu njofton se i shpallë negociatat si të përfunduara pa sukses”, thuhet në arsyetimin e Telekomit të Kosovës për vendimin për mos vazhdim të kontratës me Dardafon (Z-Mobile).

Z-Mobile paralajmëron përsëri arbitrazh

Kompania telefonike Z-Mobile ka reaguar një ditë pasi Telekomi i Kosovës nuk e ka vazhduar kontratën me të.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Z-Mobile ka dërguar një deklaratë për media, ku vlerëson se vazhdimi i kësaj kontrate ka qene në dobi të Telekomit, të konsumatorëve të Kosovës dhe zhvillimit të një tregu cilësor dhe konkurrent.

“Z Mobile me kujdes e ka vëzhguar situatën lidhur me përfundimin, respektivisht vazhdimin e kontratës me Telekomin e Kosovës, sipas kushteve të parapara në marrëveshjen bazë dhe për këto arsye nuk ka bërë deklarime publike, duke dashur t’i përmbahet obligimit që palët të negociojnë në mirëbesim”, thuhet në deklaratë.

Kjo kompani ka deklaruar se nuk besojnë se janë të sinqerta deklarimet e Telekomit të Kosovës se kanë zhvilluar negociata në mirëbesim për vazhdimin e kontratës me kompaninë në fjalë.

“Sipas bindjes sonë, që nga fillimi i kësaj periudhe, Telekomi nuk ka dashur të arrijë marrëveshje për vazhdimin e kontratës me Z Mobile dhe për këtë fakte ekzistojnë dëshmi të shumta me shkrim, si dhe me paraqitjet e përfaqësuesve të Telekomit nëpër media”, thuhet në përgjigje.

Sipas tyre, Telekomi e ka pasur për obligim ligjor që negociatat t’i zhvillojë në mirëbesim për arritjen e marrëveshjes komerciale me Z Mobile, “por ka bërë çdo veprim që të mos arrihet një marrëveshje”.

“Telekomi, duke vepruar në kundërshtim me obligimin për mirëbesim, ka zhvilluar kampanjë publike për devalvimin e bashkëpunimit komercial me Z Mobile, gjë që nuk e kemi pritur. Megjithatë, ne besojmë që këto veprime të Telekomit nuk i sjellin asnjë dobi as Telekomit as tregut te telekomunikacionit ne Kosove”, vijon përgjigja e kompanisë telefonike.

Kjo kompani thotë se nuk e përjashton inicim të procedurës se arbitrazhit ndaj Telekomit.

“Në situatën e tillë, Z Mobile, duke u vënë para aktit të kryer për shkak të mosbashkëpunimit të partnerit, i mbetet pak mundësi të zgjidhjes përveçse ndjekjes së rrugëve ligjore, duke mos përjashtuar inicim të procedurës së arbitrazhit ndaj Telekomit”, thuhet në deklaratë.

Borxhi milionësh dhe negociatat për kontratën

Ndërmarrja publike dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën Z Mobile bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, këtë vit, 10 vite pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z Mobile.

Më 4 maj të këtij viti kompania Z Mobile ka paralajmëruar kompaninë publike Telekom se do ta dërgojnë borxhin prej rreth 26 milionë euro në përmbarim.

Në atë situatë, Kryesuesja e bordit të Telekomit tha se borxhi mund të kushtëzojë edhe vazhdimin e kontratës me Z Mobile.

Më pas Z Mobile shtyu afatin për pagesë deri më 15 qershor 

Telekomi i Kosovës tani po synon të hyjë në kredi për të paguar borxhin ndaj biznesit të Blerim Devollit, Z-Mobile.

Në këto momente, Z Mobile e ka jetësuar paralajmërimin dhe ka inicuar procedurë të përmbarimit ndaj Telekomit.

Në anën tjetër, menaxhmenti i Telekomit është zotuar se nuk do të ketë  vazhdim të kontratës me Z Mobile.

Punëtorët e kësaj ndërmarrje kanë dhënë ultimatum që të ketë zotim me shkrim për mosvazhdimin e çfarëdo kontrate me këtë kompani, ndryshe futen në grevë të përgjithshme.

Arbitrazhi 

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.