Foto: Atdhe Mulla

Vetëvendosje: Të gjithë të marshojmë kundër patriarkatit që vret, e për barazi

Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur marshin e së hënës “Marshojmë, s’festojmë”.

Sipas një publikimi në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë përkrah organizatorëve të këtij marshi.

“Mendësia patriarkale ende vazhdon ta mbajë gjallë femicidin, e kjo bën që shumë gra të privohen nga jeta. Prandaj edhe marshimi nën thirrjen “Kundër patriarkatit që vret” duhet të na bashkojë të gjithëve në shesh për drejtësi edhe barazi gjinore e shoqërore”, thuhet në publikimin e VV.

Më tej Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar të gjithë qytetarët që duke respektuar masat anti COVID-19 të marshojnë për barazi.

“Tashmë është dëshmuar se organizimi shoqëror për të jetësuar synimet tona për barazi e drejtësi është e vetmja alternativë. Andaj, si çdo ditë edhe në ditën ndërkombëtare të grave ne jemi në solidaritet të plotë me secilin organizim që kryefjalë e ka solidaritetin gjinor sepse jemi të ndërgjegjshëm që ky solidaritet është shpresa e vetme nëpërmjet së cilës arrihet te barazia, edhe gjinore. Ne i bëjmë thirrje anëtarësisë sonë dhe të gjithë qytetarëve pa dallim, që duke i respektuar masat anti-Covid, të marshojmë kundër patriarkatit që vret, e për barazi”, përfundon publikimi.

Më 8 mars aktiviste e aktivistë të Kolektivit “Marshojmë s’festojmë” kanë organizuar një marsh protestues, në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke filluar nga ora 12:00.