Policia e Kosovës gjobitë kolektivin 'Marshojmë s’festojmë'

Një gjobë është shqiptuar nga Policia e Kosovës për kolektivin “Marshojmë s’festojmë” pas aksionit simbolik të mbajtur më 8 mars të këtij viti në ditën ndërkombëtare të gruas.

Kështu ka njoftuar ky kolektiv, të cilët kanë thënë se gjoba është shqiptuar edhe pse Policia ka qenë në dijeni për aksionet të cilat janë zhvilluar më 8 mars të këtij viti.

Një gjobë e tillë, sipas kolektivt është një akt hakmarrës nga ana e Policisë ndaj aktivistëve për kritikës të cilët këta të fundit ia bën organeve të rendit, duke e cilësuar Policinë se një nga institucionet kryesore përgjegjëse për neglizhimin dhe trajtimin jo-adekuat të rasteve të dhunës ndaj grave.

“Kjo gjobë, përveç që na revolton, është e papranueshme dhe thellësisht e padrejtë për ne. Kjo pasi Policia e Kosovës, duke qenë njëra nga institucionet kryesore përgjegjëse për neglizhimin dhe trajtimin jo-adekuat të rasteve të dhunës ndaj grave, është konsideruar njëra nga fajtoret për vrasjen e grave”, është thënë në reagimin e kolektivit.

Madje, në njoftim është thënë se gjoba e shqiptuar është një përpjekje për të frikësuar dhe dobësuar organizimin feminist në Kosovë.

“Është e qartë se aparati shtypës shtetëror duke parë potencialin e organizimit feminist në Kosovë, përmes këtyre përpjekjeve për frikësim, tenton ta dobësojë atë”, thuhet tutje.

Kujtojmë që këtë 8 mars kolektivi “Marshojmë s’festojmë” ka organizuar një marsh në Prishtinë, duke filluar nga Pallati i Drejtësisë, për të vazhduar tek Këshillin Prokurorial, Policia e Kosovës, Këshilli Gjyqësor dhe krejt në fund tek Qeveria e Kosovës.

Marshi sipas kolektivit kishte për qëllim që të kërkohet drejtësi për gratë e vrara.

Aktivistet dhe aktivistët e kolektivit kishin ndërmarr disa aksione simbolike që karakterizoheshin me hedhjen e ngjyrës dhe duke bërë grafite në formë proteste.

Aksione të tillë u përshkruan në të gjithë rrugën që protestuesit kaluan.

FOTOGALERI – Marsh në Prishtinë kundër vrasjes së grave

FOTOGALERI – Marsh në Prishtinë kundër vrasjes së grave, vendosen këpucë para qeverisë