Detaje nga rasti i gjobës së shqiptuar ndaj kolektivit ‘Marshojmë S'festojmë’

Gjatë ditës së sotme kolektivit “Marshojmë s’festojmë” ka njoftuar se Policia e Kosovës ka gjobitur këtë kolektiv lidhur me aktivitetet e realizuara për 8 Mars 2022.

Në një përgjigje për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se më 8 mars janë dy fletëparaqitje për kundërvajtje.

Këto fletëparaqitje, sipas Ahmetit janë në përputhje me ligjin për rendin dhe qetësinë publike.

“Fletëparaqitjet janë në përputhje me ligjin – 03/L-142, neni 17, paragrafi 2, më datë 08.03.2022, janë shqiptuar dy fletëparaqitje për kundërvajtje”, ka thënë Ahmeti.

E njëjta ka shtuar se fletëparaqitjet iu janë referuar gjykatës kompetente.

Sipas këtij neni, kryesi i kundërvajtjeve dënohet me gjobë prej njëqind (100) deri nëntëqind (900) Euro apo me dënimin me burg deri në gjashtëdhjetë (60) ditë.

KALLXO.com gjatë ditës ka raportuar lidhur me rastin.

Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” kishin njoftuar lidhur me gjobën.

Në njoftimin e tyre ishte thënë se gjoba është shqiptuar edhe pse Policia ka qenë në dijeni për aksionet të cilat janë zhvilluar më 8 mars të këtij viti.

Një gjobë e tillë, sipas kolektivt është një akt hakmarrës nga ana e Policisë ndaj aktivistëve për kritikës të cilët këta të fundit ia bën organeve të rendit, duke e cilësuar Policinë se një nga institucionet kryesore përgjegjëse për neglizhimin dhe trajtimin jo-adekuat të rasteve të dhunës ndaj grave.

“Kjo gjobë, përveç që na revolton, është e papranueshme dhe thellësisht e padrejtë për ne. Kjo pasi Policia e Kosovës, duke qenë njëra nga institucionet kryesore përgjegjëse për neglizhimin dhe trajtimin jo-adekuat të rasteve të dhunës ndaj grave, është konsideruar njëra nga fajtoret për vrasjen e grave”, është thënë në reagimin e kolektivit.

Madje, në njoftim është thënë se gjoba e shqiptuar është një përpjekje për të frikësuar dhe dobësuar organizimin feminist në Kosovë.

“Është e qartë se aparati shtypës shtetëror duke parë potencialin e organizimit feminist në Kosovë, përmes këtyre përpjekjeve për frikësim, tenton ta dobësojë atë”, thuhet tutje.

Kujtojmë që këtë 8 mars kolektivi “Marshojmë s’festojmë” ka organizuar një marsh në Prishtinë, duke filluar nga Pallati i Drejtësisë, për të vazhduar tek Këshillin Prokurorial, Policia e Kosovës, Këshilli Gjyqësor dhe krejt në fund tek Qeveria e Kosovës.

Policia e Kosovës gjobitë kolektivin ‘Marshojmë s’festojmë’

FOTOGALERI – Marsh në Prishtinë kundër vrasjes së grave