Vetëvendosje me politika që favorizojnë bizneset dhe prodhuesit vendor

Sonte në Debat Pernime partitë politike po prezantojnë politikat për zhvillim dhe punësim.

Dy kandidatët për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se politikat ekonomike të kësaj partie synojnë përkrahjen e bizneseve dhe prodhuesve vendor.

“Ligjin për tregti të brendshme në aspektin e prodhuesve vendor do të flasim për bujqit dhe prodhuesin për të cilët do të kemi një çmim dysheme që ua mbulon koston e prodhimit të tyre”, ka thënë Mentor Hyseni nga VV.

“Një ligj tjetër për të cilin kemi thënë se do të punojmë për ndryshimin e tij, është ligji për prokurim publik i cili do të përkrah prodhuesit vendor. Do të u ofrojmë ndihmë profesionale dhe si t’i gjejnë tregjet e jashtme”, tha tutje ai në #DebatPernime.

Në anën tjetër, kandidati i VV-së për deputet, Hekuran Murati tha se politikanët deri më tani i kanë vizituar bizneset nëpër Kosovë por në fund as mobile te ta nuk kanë blerë.

“Ne ishim para disa ditëve në Greme, një fshat në Ferizaj i cili ndryshe e quajnë edhe si Kina e prodhimeve të mobileve. Aty prodhuesit u ankuan se të gjithë politikanët zakonisht vijnë në fushatë, por kurrë nuk vijnë me ble mobile për me i mobilizu zyrat e veta”, ka thënë Murati.

“Ne sapo thamë që me anë të ligjit për prokurim publik do të favorizojmë bizneset vendore dhe prodhuesit. Kjo e krijon bindjen se Qeveria do t’i ndihmojë”, deklaroi ai.