Versioni i policisë për plagosjen e djalit të kryetarit të Shtimes

KALLXO.com para pak orëve ka raportuar se djali i vogël i kryetarit të Shtimes, Naim Ismajli është plagosur brenda një lokali në afërsi të Graçanicës.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar me policinë në rajonin e Prishtinë për të marrë detaje se si ka ndodhur rasti.

Zëdhënësja e policisë në rajoni e Prishtinës, Florie Ahmeti e ka konfirmuar rasti për KALLXO.com ku ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit.

“Dje rreth orës 03:00, në rrugën Ferizaj- Lipjan, saktësisht në një lokal, është raportuar për të shtëna me armë zjarri ku lëndime trupore nga arma e zjarrit kanë marrë tre persona”, ka thënë Ahmeti.

Ajo tutje ka bërë të ditur se aktualisht policia po punon për arrestimin e të dyshuarve për këtë rast si dhe sqarimin e rrethanave që lidhen me rastin.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe vetë kryetari Naim Ismajli.

Ai ka thënë se djali i tij ka qenë me shoqëri dhe ka qenë mysafir në atë lokal ku ka ndodhur rasti, ku është lënduar nga një plumb qorr.

“Është djali i vogël, ka qëlluar me shoqëri nuk është i përfshirë në rastin e incidentit, ka qenë thjesht mysafir në atë objekt dhe është lënduar. Ka goditje të një plumbi qorr. Ka qëlluar me shoqëri atje, s’ka qenë në vend edhe me qëlluar por… ka shpëtuar sepse është lëndim i lehtë”, tha Ismajli për KALLXO.com.

Plagoset me armë zjarri djali i kryetarit të Shtimes