Shpallja e vendimit nga Gjykata e Prishtinës ndaj të akuzuarve Selman Selmani, Esat Xhemaili, Shemsedin Haziri, Sabit Sahiti dhe Mursel Latifi,(19.06.2024), Foto: KALLXO.com

Vendimi i gjykatës ndaj 5 të akuzuarve për import e eksport të armëve

Gjykata e Prishtinës ka vendosur ndaj pesë personave, Selman Selmani, Esat Xhemaili, Shemsedin Haziri, Sabit Sahiti dhe Mursel Latifi, të akuzuar për import, eksport, furnizim, transportim, shitje të paautorizuar të armëve apo materieve plasëse. Secilit prej tyre i është shqiptuar dënimi i njëjtë veç e veç, prej një viti burg dhe 1 mijë euro dënim me gjobë.

Në seancën e mbajtur më 19.06.2024, gjykata bëri të ditur se nga të akuzuarit konfiskohen sendet e sekuestruara përkohësisht siç janë: 20 armë të gjata AK-47, një pushkë automatike, 12 fishekë AK-47, 205 fishekë të armës së gjatë, një karikator i armës AK-47, një kondak i pushkës nga druri dhe një telefon.

Dënimet e shqiptuara me gjobë dhe me burg do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në afatin e paraparë ligjor. Të gjykuarit obligohen që secili veç e veç t’i paguaj të gjitha shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës.

Ndaj vendimit të marrë nga trupi gjykues në përbërje të Vesel Ismajlit – kryetar, dhe dy anëtarëve Musa Konxheli dhe Arben Hoti, palët e pakënaqura kanë të drejtë të ushtojnë ankesë në formë të shkruar në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Lidhur me akuzat e prokurorisë Selman Selmani, Esat Xhemaili, Shemsedin Haziri, Sabit Sahiti dhe Mursel Latifi e kanë pranuar fajësinë me datë 12.06.2024.

Përfaqësuese e aktakuzës është prokurorja Fikrije Zejnullahu.

Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 27.12.2023 është ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Selman Selmani, Esat Xhemajli, Shemsedin Haziri, Sahit Sahiti, Sheremet Jashari dhe Mursel Latifi sepse nga koha e pavërtetuar e në vazhdimësi deri në muajin mars dhe maj të vitit 2023, kanë vepruar si grup i organizuar kriminal në atë mënyrë që me dashje janë marrë vesh paraprakisht që të furnizohen, transportojnë, këmbejnë, ndërmjetësojnë dhe shesin në mënyrë të paautorizuar armë dhe municion.

Sipas aktakuzës të akuzuarit Selman Selmani dhe Shemsedin Haziri duke drejtuar veprimtarinë e këtij grupi kriminal së bashku me të pandehurit e tjerë në vazhdimësi janë takuar dhe kanë komunikuar me të pandehurit Esat Xhemajli, Sahit Sahiti, Sheremet Jashari dhe Mursel Latifi me qëllim blerjes së armëve dhe municionit.

Tutje sipas aktakuzës pasi kanë siguruar armët fillimisht i kanë dërguar në shtëpinë e të pandehurit Sabit Sahiti në Mitrovicë, me ç’rast me datë 12.03.2023 gjatë kontrollit të shtëpisë së të pandehurit Sabit Sahiti janë gjetur dhe sekuestruar 20 armë të gjata “AK-47” ndërsa më 17.05.2023  gjatë zbatimit të kontrollit të shtëpisë së të pandehurit Mursel Latifi, të njëjtit i janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike, 12 fishekë të “AK-47”, dyqind e pesë fishekë të armës së gjatë, një karikator i armës “AK-47”, një kondak druri dhe një telefon.

Me këtë prokuroria për këto veprime të pandehurit i akuzon se kanë kryer veprat penale – pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprat penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse.

Prokurorja e rastit në seancën e mbajtur më 12.06.2024, bëri të ditur se është bërë precizimi i aktakuzës kundër të pandehurve në atë mënyrë që hiqet pjesa e fjalisë “si grup i organizuar kriminal” dhe pjesa në vazhdim mbetet e njëjtë deri te rreshti 5, deri te emri i të akuzuarit Shemsedin Haziri, ku hiqet pjesa e fjalisë “duke e drejtuar veprimtarinë e këtij grupi kriminal së bashku me të pandehurit e tjerë” ndërkaq pjesa tjetër e dispozitivit mbetet e pandryshuar.