Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe avokati Maks haxhia duke dalë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Foto: Edmond Hoxhaj/BIRN

Vendimi i Apelit për ish-ministrin Saimir Tahiri shtyhet për më 24 qershor

Prokuroria e Posaçme, SPAK dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e përsëritën përballjen mes tyre të enjten në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pa ndryshuar asgjë nga qëndrimet e tyre të mbajtura në shkallë të parë.

Prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi kërkuan dënimin e Tahirit me 12 vjet burg, duke i qëndruar akuzave për trafikim droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ndërkohë që ish-ministri Tahiri kërkoi pafajësi.

Seanca u zhvillua pa praninë e publikut për shkak të masave kufizuese për parandalimin e COVID-19. Sipas koordinatores për të drejtën e informimit pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Elisa Spahiu, të dyja palët ju përmbajtën ankimit ndaj vendimit të ish-Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni, pas njohjes me kërkesat dhe argumentet e palëve vendosi të shtyjë seancën për shpalljen e vendimit më datë 24 qershor ora 09:30.

Në një deklaratë për mediat pas seancës gjyqësore, Tahiri e konsideroi procesin kundër tij si komik. “Kursejani njerëzve gjithë këtë historinë komike të gjyqit tim se është bërë qesharake përtej çdo niveli,”  tha Tahiri.

Më 19 shtator 2019, ish-gjykata e Krimeve të Rënda i dha pafajësi Tahirit për akuzat e trafikimit të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal dhe e dënoi atë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Ardit Mustafaj, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj vendosën dënimin e Tahirit me 5 vjet burg dhe përfundimisht 3.4 vjet heqje lire për shkak të uljes së 1/3 nga gjykimi i shkurtuar. Gjithashtu, gjykata vendosi pezullimin e dënimit për tri vjet.

Në ankimin e kryer në ish-Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, aktualisht shkalla e dytë e Gjykatës së Posaçme, Tahiri kundërshtoi edhe dënimin e dhënë nga gjykata për “shpërdorim detyre”. Ankim kreu edhe ish-prokuroria për Krime të Rënda, duke e kundërshtuar rrëzimin dhe ndryshimin e akuzave.

Tahiri dhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela u akuzuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për implikim në trafikun e narkotikëve, e kryer nga një organizatë e krimit të organizuar e drejtuar nga vëllezërit Habilaj. Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të ish-ministrit, u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane dhe u dënuan në qershor të 2019-ës. Ndërkohë, një proces paralel për ta filloi edhe në Shqipëri. (reporter.al)