Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe avokati Maks haxhia duke dalë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Foto: Edmond Hoxhaj/BIRN

Nis gjykimi ndaj ish-ministrit Tahiri

Edhe pse gjatë seancës së të mërkurës u çel shqyrtimi gjyqësor për procesin ndaj ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-kryepolicit të Vlorës Jaeld Çela të akuzuar për trafik droge, dakortësia mes gjykatës, mbrojtjes dhe prokurorisë u pasua me leximin e shkurtuar të kërkesës për gjykim, duke bërë publike vetëm akuzat.

Ish-ministri Tahiri ishte i pranishëm në sallë, ndërsa i pandehuri Jaeld Çela ka depozituar deklaratë se është në dijeni për zhvillimin e seancës dhe se do të përfaqësohet nga mbrojtësi i tij ligjor, Gentian Rumano.

Gjatë seancës u identifikua nga gjykata edhe mungesa e disa akteve të përkthimeve të deklaratave të tre personave të pyetur në Itali, që krijuan një situatë shqetësuese për prokurorët të cilët nuk arritën t’i siguronin ditën e mërkurë, gjatë kohës që iu la në dispozicion.

Ashtu si edhe në dy seancat e mëparshme të cilat dështuan për mungesë palësh, edhe të mërkurën u konstatua pamundësia e gjetjes dhe njoftimit të dy të pandehurve të tjerë, dy oficerëve të policisë Sokol Bode dhe Gjergji Kohila të cilët janë shpallur në kërkim.

Një prej tre prokurorëve të çështjes, Vladimir Mara u shpreh se gjykata i ka bërë të plota kërkimet për dy të pandehurit Bode dhe Kohila dhe se për ta duhet të kryhet pezullimi i gjykimit. Mara kërkoi ndarjen e çështjes dhe çeljen e shqytimit gjyqësor për Tahirin dhe Çelën.

Trupa gjykuese e Krimeve të Rënda e përbërë nga Ardit Mustafaj kryesues dhe Irena Gjoka e Flora Harjadinaj anëtare, vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë duke pezulluar gjykimin për të pandehurit Bode dhe Kohila e duke ndarë çështjen.

Pasi kryesuesi i trupës, gjyqtari Ardit Mustafaj pyeti Tahirin dhe mbrojtësit e dy të pandehurve nëse vazhdonin t’i qëndronin kërkesës për gjykim të shkurtuar, ish-Ministri i Brendshëm tha se ishte dakord, por se kërkesa për vazhdimin e gjykimit në gjendjen e akteve nuk konsistonte në praninë e fajit. “Mendoj se provat për pafajësinë time janë provat e prokurorisë. Kam menduar t’i dal përballë, edhe për ekonomi gjyqësore, edhe të mbarojë sa më shpejt”, pohoi Tahiri.

Pas kësaj, gjykata deklaroi të hapur shqyrtimin gjyqësor duke u kërkuar prokurorëve të paraqisnin parashtrimet. Kur prokurori Arenc Çela nisi të lexojë kërkesën për gjykim, pa përfunduar ende të dhënat e të pandehurve dhe akuzat e ngritura ndaj tyre, kryesuesi i trupës gjykuese, Ardit Mustafaj e pyeti nëse kishte mundësi t’i përmblidhte të dhënat.

Mustafaj pyeti edhe avokatët e të pandehurin Tahiri nëse njiheshin me dosjen dhe nëse ishin dakord që të lexoheshin vetëm akuzat e provat, duke gjetur mirëkuptimin e tyre. Por, pasi u lexuan akuzat, mes gjykatës, avokatëve dhe prokurorëve u gjet sërish dakordësia që të mos lexoheshin as provat, me justifikimin se të gjithë palët njiheshin me fashikujt e dosjes.

Pasi prokurori lexoi vetëm një pjesë të shkurtër të kërkesës për gjykim, u shpreh se kërkonte gjykimin e kësaj çështjeje. Por, në këtë moment, kryesuesi i trupës Ardit Mustafaj u bëri me dije tre prokurorëve, Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Arenc Çela, se gjykata kishte vënë re se në fashikujt e dosjes nuk janë vendosur përkthimet e disa procesverbaleve, konkretisht të deklarimeve të Moisi Habilajt, Nazer Seitit dhe Meridian Sula, të dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge.

Prokurorët kërkuan 10 minuta kohë të kontrollonin dosjen dhe kur u kthyen, prokurori Dritan Prençi i deklaroi gjykatës se përkthimet në fjalë nuk ndodheshin në fashikull dhe se nuk janë të përkthyera. Ai shtoi se për shkak se i kishin paraqitur këto akte të papërkthyera, kërkonte që të njiheshin si prova.

Mbrojtësi ligjor i Tahirit, avokati Maks Haxhia e cilësoi këtë situatë si një manovër të prokurorisë. Ai shtoi se në fashikull Ministria e Drejtësisë komunikon për materialet e Katanias dhe përkthimet e vitit 2018.

“Ose nuk e dinë për shkak të ngarkesës, ose e bëjnë me qëllim. I kërkoj gjykatës të detyrojë prokurorinë t’i japi këto akte”, tha ndër të tjera avokati Maks Haxhia. Ndërsa i pandehuri Tahiri u shpreh se i kishte nisur një kërkesë Prokurorisë së Krimeve të Rënda lidhur me këtë gjë. “I kam nisur kërkesë prokurorisë se mungojnë disa materiale dhe i pyes a është i saktë materiali apo jo? Drejtuesja më ktheu përgjigje se dosja është e saktë. Edhe një çerdhe është më e organizuar se kjo prokurori”, pohoi Tahiri.

Ai shtoi se edhe pse këto akte ishin në favor të tij, ishte gati të hiqte dorë prej tyre vetëm me qëllim që të mbaronte sa më shpejt shqyrtimi gjyqësor.

Pasi dëgjoi palët, gjykata vendosi tu japë kohë prokurorëve të sigurojnë përkthimet e akteve të sipërcituara deri më datë 22 korrik, ora 11:00, kur do të zhvillohet seanca e radhës.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-numri një i policisë së Vlorës, Jaeld Çela akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për implikim në trafikun e narkotikëve, e kryer nga një organizatë e krimit të organizuar e drejtuar nga vëllezërit Habilaj.

Tahiri i ka mohuar akuzat, ndërkohë që ish-kreu i Policisë së Vlorës ndodhet prej një viti e gjysmë në arrati së bashku me dy drejtues të tjerë të policisë lokale, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode. Për këta dy të fundit u vendos pezullimi i shqyrtimit gjyqësor dhe ndarja e çështjes.

Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane dhe u dënuan në qershor 2019. Ata u arrestuan teksa po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria drejt vendit fqinj.

Po në vjeshtën e vitit 2017, në Babicë të Vlorës, në magazinën e të dyshuarit Armando Koçerri u gjetën dhe sekuestruan rreth 4 tonë cannabis sativa, episod ky që u shoqërua me procedim penal edhe në Shqipëri. Çështja penale ndaj ish-ministrit Tahiri filloi në tetor 2017, pas publikimit të disa përgjimeve të anëtarëve të grupit “Habilaj”, të cilët përmendnin emrin e Tahirit dhe aludonin se i kishin blerë dhurata. (reporter.al)