Saimir Tahiri - Foto: Rtv21

Ish-ministri Saimir Tahiri dënohet për shpërdorim detyre

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u shpall fajtor nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë të Enjten për veprën penale “shpërdorim detyre” ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Pas gjashtë seancash gjyqësore, trupa gjykuese e kryesuar nga  Ardit Mustafaj me anëtarë Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, vendosi dënimin e Tahirit me 5 vjet burg, por ai përfiton nga gjykimi i shkurtuar, gjë që e ul dënimin në 3.4 vjet. Për më tepër dënimi u shpall i pezulluar për tre vjet.

Ky ishte vendimi i shkallës së parë të Gjykatës për Krimet e Rënda dhe nuk është i formës së prerë. Tahiri deklaroi menjëherë pas vendimit se do ta apelojë atë.

Tahiri, 39, bëhet një nga të paktët zyrtarë të lartë të dënuar nga gjykatat për abuzim me detyrën.

Paralelisht me Tahirin u shpall fajtor gjithashtu edhe Jaeld Çela, ish-drejtues i policisë së Vlorës, i cili gjendet aktualisht në arrati. Çela u dënua për shpërdorim detyre dhe u shpall gjithashtu i pafajshëm për akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Më herët në seancën e 10 shtatorit, prokuroria kërkoi që ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-numri një i policisë së Vlorës, Jaeld Çela të dënoheshin me 12 vjet burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, me 8 vjet.

Prokuroria kërkoi shpalljen e tyre fajtorë për tre akuza; “Trafikimi i narkotikëve” në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Në një mbrojtje pasionante të zhvilluar po më 10 shtator, duke hequr e veshur xhaketën dhe duke përdorur një “flip-charter” para trupit gjykues, Tahiri këmbënguli në pafajësinë e tij, por edhe të ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Ai pretendoi se prokuroria nuk kishte asnjë provë kundër tij dhe akuzoi se ajo ishte përgjegjëse për mos-hetimin e denoncimevetëdikurshme tëpolicisë për vëllezërit Habilaj.

Debatet para vendimit

Mëngjesin e së enjtes, kryesuesi i trupit gjykuese, Ardit Mustafaj pyeti për disa prej pretendimeve të tij gjatë mbrojtjes në seancën e  10 shtatorit, por Saimir Tahiri u duk se bëri një tërheqje taktike. Gjyqtari Mustafaji tha Tahirit se një e-mail i ish-oficerit të policisë Gjergji Kohila, regjistri i hyrje daljeve në Ministrinë e Brendshme dhe letra prej tij për ish-ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli mbi radarët nuk ishin në dosje.

Kryesuesi pyeti se çfarë kërkonte sa i përket “akteve që nuk janë në dosje”.

Tahiri tha se dokumentet i kishte përmendur për të dëshmuar personalitetin e tij dhe se nuk kishte kërkuar dhe nuk kërkonte që të administroheshin si prova. “E-mail nga Kohila nuk është administruar nga prokurori, nuk më cënon, por e solla për të dëshmuar personalitetin tim,” tha Tahiri, duke sqaruar se kjo provë tregonte që punonjës të policisë, që sipas akuzës e kishin ndihmuar  atë dhe Habilajt në trafikun e narkotikëve, në fakt kishin qenë denoncues të tyre.

Tahiri tha se nuk kishte kërkuar paraqitjen e këtyre dokumenteve si prova, pasi sipas tij vetë hetimi i prokurorisë e shfajësonte dhe nuk e kishte parë të arsyeshme sjelljen e provave të reja.

Ndërkohë, avokati i Tahirit, Maks Haxhia duke përforcuar ato që ish-ministri i Brendshëm tha për provat, pretendoi ndër të tjera se një nga arsyet që e-maili i Kohilës ishte bërë me dije, ishte për t’i dhënë mundësi “prokurorit (Dritan Prençi) që të tërhiqej me dinjitet personal nga kjo çështje”.

Duke aluduar ashtu si Tahiri gjatë mbrojtjes se prokuroria nuk kishte hetuar vëllezërit Habilaj edhe pse këta ishin denoncuar drejtpërdrejt nga të pandehurit.

Prençi që mori fjalën pas leximit të mbrojtjes së Jaeld Çelës, mohoi ekzistencën e e-mailit.

“Nuk kam marrë asnjë e-mail nga Gjergji Kohila, nuk është i vërtetë”, tha prokurori, i cili kërkoi që të shikonte e-mailin që kishte mbrojtja. Kjo e fundit refuzoi ta jepte dokumentin, duke thënë se ai mund të përdorej në gjyqin e Kohilës.

Prençi nga ana e tij vijoi duke theksuar se Kohila kishte qenë që një vit më herët i raportuar nga institucionet ligjzbatuese për lidhjet e tij me grupin e Taulant Haxhirajt, i dënuar si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal në kultivimin e narkotikëve. Prençi shtoi se policia e Vlorës ishte lënë jashtë hetimeve të nisura në atë kohë, pasi kishte dyshime për lidhjet e saj me persona të përfshirë.

Prençi tha se oficeri i policisë së Vlorës që kishte raportuar për këtë çështje ishte E.R dhe se ky i fundit ishte caktuar edhe si person kontakti.

Tahiri e kundërshtoi pretendimin e prokurorit Prençi. Pasi u ngrit në këmbë sërish, duke përdorur për së dyti tabelën e madhe me data dhe shënime, ai këmbënguli se të bashkëakuzuarit me të kishin denoncuar në prokurori grupin.

Tahiri tha se nuk do të mbronte Kohilën, por tregoi në sallë dy letra që sipas tij dëshmonin e-mailet dërguar nga Kohila për dy prokurorë, përfshi Prençin që ishte i pranishëm në sallë.

Ai po ashtu iu rikthye raportimeve të bëra nga Jaeld Çela ndaj grupit, duke thënë se ky denoncim ishte bërë një vit para se të nisej me e-mail nga Kohila. Tahiri akuzoi prokurorinë e Vlorës se kishte pezulluar hetimet pas disa denoncimeve të policisë, firmosur sipas tij nga Çela, që kishte shkatërruar parcela të dyshuara si të Habilajve.

Ai po ashtu iu rikthye alibisë së tij për një prej përgjimeve, prej të cilit lihet të kuptohet se Florjan Habilaj kishte ngrënë drekë me të ashtuquajturin “shefi i madh”. Duke përdorur foto të publikuara në gazeta, tha se atë ditë, drekën e kishte ngrënë me kryeministrin dhe ministrat e tjerë në Dajt. “As unë as Rama nuk jemi shefi i madh,” tha ish-ministri i Brendshëm.

Avokati mbrojtës i ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela përsëriti pak a shumë ato që Tahiri tashmë i kishte thënë për klientin e tij.

I ndjekur me gjeste padurimi prej Tahirit, avokati lexoi një sërë referencash shtesë për të treguar sasinë e narkotikëve të shkatërruar nga policia e Vlorës dhe lexoi një sërë procesverbalesh e provash të mbledhura nga policia e Vlorës me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, sa i përket çështjes së Taulant Haxhirajt.

Ai po ashtu kundërshoi kontaktet e klientit të tij me vëllezërit Habilaj. Duke thënë se pretendimet e prokurorisë bazoheshin vetëm në dy elementë. Një telefonatë pa përgjigje nga Florjan Habilaj te Çela dhe një mesazh urimi për festën e fundvitit po nga Habilaj te Çela. Avokati tha se klienti i tij nuk u ishte përgjigjur.

Në fund të seancës, avokati Maks Haxhia përmblodhi mbrojtjen duke përdorur një anekdodë. “Pyeti dikush pse nuk bien këmbanat. Përgjigja ishte: Ka 13 arsye. E para nuk ka këmbana, por ka edhe 13 arsye të tjera”.

Haxhia përmendi se prokuroria nuk kishte asnjë provë, ndërsa tha se në asnjë moment nuk kishte treguar se cilat ishin veprimet apo mosveprimet e të akuzuarve në 4 rastet e trafikut që aludohej se kishin ndihmuar.

Dritë-hijet procesit “Tahiri”

Tahiri dhe Çela akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për implikim në trafikun e narkotikëve, e kryer nga një organizatë e krimit të organizuar, e drejtuar nga vëllezërit Habilaj.

Tahiri ishte i pranishëm gjatë gjithë procesit, ndërsa ish-kreu i Policisë së Vlorës ndodhet prej një viti e gjysmë në arrati së bashku me dy policë të tjerë vendorë – Gjergji Kohila dhe Sokol Bode. Për këta dy të fundit u vendos pezullimi i shqyrtimit gjyqësor dhe ndarja e çështjes.

Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të ish-ministrit, u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane dhe u dënuan në qershor 2019. Një proces paralel për ta filloi së fundmi edhe në Shqipëri. Ata u arrestuan nga policia Italiane teksa po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.

Pas arrestimit të tyre filloi edhe çështja penale ndaj ish-ministrit Tahiri në tetor 2017, pasi u gjet se në disa përgjime anëtarët e grupit “Habilaj”, përmendnin emrin e Tahirit dhe aludonin se i kishin blerë dhurata. Ndërkohë prokuroria ka lidhur me këtë çështje edhe atë ndaj Taulant Haxhirajt e të tjerë të dënuarve tashmë për trafik narkotikësh.

Prokurorët u përballën atëherëme shumicën parlamentare socialiste, e cila refuzoi të jepte leje për arrestimin e Tahirit, ndërsa i lejoi prokurorisë vetëm të drejtën e kontrollit në shtëpinë e ish-ministrit. Megjithatë, kryeministri Edi Rama, i cili akuzoi prokurorinë për sulm politik ndaj ish-ministrit, e përjashtoi atë nga grupi parlamentar.

Gjashtë muaj pasi kishin filluar hetimet, më 3 maj 2018, Tahiri doli në një konferencë për shtyp dhe dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, duke thënë se donte të përballej me drejtësinë si qytetar i thjeshtë.

Tahiri, 39 vjeç, u zgjodh deputet nga lista e Partisë Socialiste në vitin 2009 dhe u bë Ministër i Brendshëm nën qeverinë e parë “Rama” më 2013. Suksesi i policisë në shkatërrimin e plantacioneve të kanabisit në Lazarat në vitin 2014, i njohur si kryeqyteti i kanabisit për Europën, i dha atij lavde.

Gjithsesi më 2015,Tahiri u përball me akuza publike si person i përzierë në mënyrë aktive në trafikun e drogës. Dritan Zagani, një ish-oficer policie, pretendoi se Tahiri kishte urdhëruar arrestimin e tij për shkak të hetimeve që ai kishte nisur mbi disa kushërinj të largët dhe mbështetës të Tahirit, të njohur si banda e Habilajve.

Zagani u arratis nga Shqipëria për të kërkuar azil politik në Zvicër, prej nga deklaroi se Tahiri u kishte dhënë trafikantëve makinën e tij private në mënyrë që ata të mos kontrolloheshin nga policia. Një hetim nga prokuroria në atë kohë i gjeti pretendimet e Zaganit të pavërteta.

Tahiri u hoq si Ministër i Brendshëm më 2017, pasi kishte qenë në detyrë për një kohë rekord krahasimisht me parardhësit, dhe u rizgjodh si deputet pak muaj më vonë. Gjithsesi në tetor 2017, policia italiane arrestoi një nga vëllezërit Habilaj ndërsa përgjimet e tyre nxorrën në pah marrëdhënien mes Tahirit dhe bandës kriminale. Pas publikimit të përgjimeve italiane, prokurorët shqiptarë kërkuan nga parlamenti leje për arrestimin e tij, që  u rrëzua nga mazhoranca.

Për dy vjet prokuroria hetoi çështjen. Ajo shtyu disa herë afatet e hetimit, ndërsa vetëm për një periudhë të shkurtër kohore arriti të siguronte nga gjykata një masë arresti shtëpiak për Tahirin, i cili u hetua më pas i lirë edhe pse me akuza mjaft të rënda.

Pretenca e prokurorisë

Më 10 shtator në një seancë të gjatë, përfaqësuesit e prokurorisë kërkuan dënimin e Saimir Tahirit dhe Jaeld  Çelës për të tre akuzat. Prokuroria paraqiti si prova kryesisht përgjime të trafikantëve që flisnin për marrje garancish apo për ndihmë nga oficerë të ndryshëm të policisë. Në një rast, prokurori Dritan Prençi përmendi se një prej të akuzuarve, Taulant Haxhiraj i dënuar për trafik narkotikësh, i thoshte bashkëbiseduesit se “ende nuk e kishin marrë garancinë kushot e ministrit”.

Përgjimet të bëra publike edhe më herët si pjesë e dosjeve të tjera hetimore në Shqipëri dhe Itali, u dukën si prova kryesore e akuzës. Sipas prokurorëve, nga përgjimet, gjuha e përdorur mes të dyshuarve dhe kronologjia e drogës së trafikuar apo kultivuar, provohet se ata kishin garanci dhe se ndihmoheshin nga lart.

Prokuroria pretendoi se në një rast, policia preu 5 mijë bimë kanabisi në Vlorë, por pastaj u largua pa i asgjësuar dhe se trafikantët e morën produktin gjysmë të gatshëm. Episodi aludon se policia u përdor si krah pune nga grupi i trafikantëve. Akuza u fokusua kryesisht të dëshmonte përmes përgjimeve të trafikantëve të ndryshëm lidhjet që këta kishin me oficerë të policisë.

Ndërkohë në pjesën e dytë që u lexua nga prokurori Arenc Çela, akuza u fokusua te provat dhe rrethanat që lidhin ish-Ministrin e Brendshëm me vëllezërit Moisi e Floirian Habilaj. Prokuroria përmendi në këtë rast përgjimet mes Moisi Habilajt dhe të vëllait Florianit në të cilat përmendet “shefi i madh”.

Po ashtu, u ripërmendën përgjimet e realizuara nga anti-mafia italiane, në të cilat Moisi Habilaj dhe partnerët e tij përmendin ish-ministrin e Brendshëm dhe po ashtu aludojnë për dhurata në bizhuteri për të afërmit e tij. Prokuroria përmendi dëshmitë e dy shitësve italianë dhe njëkohësisht edhe dy biseda të një personi të tretë, pjesë e grupit që i mburrej dikujt për afërsinë e Habilajve me ministrin.

Po ashtu, prokuroria përmendi angazhimin e vëllezërve Habilaj në rregullimin e një skafi që ishte përdorur nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri për të shkuar me pushime. Prokuroria paraqiti si provë faktin se Moisi Habilaj ishte paraqitur në një prej pikave hyrëse në vend me dokumente të skafit ku emri i ish-ministrit ishte shënuar si kapiten dhe po ashtu rezultonte si personi që kishte paguar disa prej shpenzimeve të personave për rregullimin e skafit në Itali. Sipas prokurorisë, përgjimet dhe provat e tjera tregonin se mes palëve kishte pasur kontakt dhe njohje. (reporter.al)