QKUK - Foto: KALLXO.com

Vajza 15 vjeçare në rrethana misterioze vdes në QKUK

Shërbimi Spitalor i Klinikës Universitare të Kosovës ka nisur hetimet për vdekjen e 15 vjeçares më 14 maj në Klinikën Emergjente të QKUK-së.

Familja e 15 vjeçares përmes mediave kanë akuzuar QKUK-në për mos-marrjen e hapave të duhur në raport me shëndetin e fëmijës së tyre që kishte ankesa për dhimbje në bark.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ShSKUK ka njoftuar se kanë ngritur një komision për të hulumtuar rastin.

“Rasti do të hulumtohet, ShSKUK ka formuar  një komision në përbërje të tre klinikave”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

“QKUK ju informon se përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve të Klinikës Emergjente, pacientja nuk ka arritur të mbijetojë, meqë gjendja ka qenë e rënduar. Ekipet reanimatore të emergjencës kanë bërë maksimumin”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Sipas QKUK-së, familja e së ndjerës ka refuzuar të bëjnë autopsinë.

“Mjekët kanë kërkuar të bëhet obduksioni, siç edhe kërkohet në raste të tilla, por familjarët nuk kanë pranuar të kryhet”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.