Vdekja e polices në Gjilan, Prokuroria dhe IPK nisin hetimet

Një zyrtare policore dyshohet se ka bërë vetëvrasje në shtëpinë e saj në Gjilan, sot me 14.05.2024.

Drejtori i Policisë për rajonin e Gjilanit, Agron Rukiqi, ka thënë për KALLXO.com se rasti është duke u hetuar nga Prokuroria dhe Inspektoriati Policor i Kosovës (IPK).

“Rasti është duke u hetuar bashkë me prokurorinë, ne nuk mundemi me dhënë asnjë informatë derisa hetimet janë në proces e sipër. Ju kishim lut për mirëkuptim, rasti është duke u hetuar nga Prokuroria, Inspektoriati Policor i Kosovës është i njoftuar dhe i kyçur, kështu që nuk mundemi për momentin me dhënë informata të tjera”– ka thënë Rukiqi.

Kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu në një bisedë për Kallxo.com ka dhënë disa detaje për ngjarjen në të cilën vdiq policja nga Gjilani.

Kadriu ka sqaruar se ka pranua raport telefonik nga hetuesit të cilët i kanë sqaruar disa prej dyshimeve të para rreth ngjarjes.

“Policja më herët ka qenë pjesë e njësisë së hetimeve në stacionin e Gjilanit”- tha kryeprokurori Kadriu.

“Për shkak të disa problemeve shëndetësore asaj i ishte marrë arma e saj personale. Ndërsa, sot ajo dyshohet se aktin e ka kryer me armën e djalit të saj i cili po ashtu është polic”- ka thënë Kadriu.

Ai ka thënë se Prokuroria është duke hetuar rrethanat e ngjarjes dhe është herët të arrihet në konkludime.

Zyrtarja e Policisë së Kosovës dyshohet se ka vrarë vetën sot më 14.05.2024 në Gjilan.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Ai ka bërë të ditur se ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur rreth orës 11:44.

“Ju informojmë se sot më 14.05.2024 rreth orës 11:44 Policia e Kosovës në Gjilan ka pranuar një informatë se një pjesëtare e PK-së rreth 46 vjeçare dyshohet se ka bërë vetëvrasje në shtëpinë e saj në Gjilan. Patrulla është nisur menjëherë në atë drejtim, gjithashtu edhe njësitet tjera relevante. Për informata tjera ju njoftojmë”– ka thënë Hashani.

Zyrtarja policore gjendet e vdekur në shtëpinë e saj në Gjilan