Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vdekja e 67 vjeçares në Dragash, intervistohen familjarët me të cilët ajo jetonte

67-vjeçarja e cila u gjet e vdekur në fshatin Kuk të Dragashit ka qenë edhe më parë viktimë e dhunës në familje.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti-Sejrani.

Për dhunë në familje ndaj 67-vjeçares është ngritur aktakuzë më 21 dhjetor 2022. Aktakuza sipas Prokurorisë është ngritur kundër gruas së vëllait të viktimës dhe djalit të gruas së vëllait.

“Me datë 21 dhjetor 2022, Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër gruas së vëllait të viktimës dhe djalit të gruas së vëllait, për veprën penale “Dhuna në familje” nga neni 248, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), përkatësisht për dhunë psikologjike ndaj viktimës, sepse viktima ka jetuar në shtëpinë e vëllaut të saj” – ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti-Sejrani.

Ajo ka treguar se janë intervistuar anëtarët e familjes, me të cilët ka jetuar viktima.

“Rrjedhimisht, rasti është nën hetime” – ka potencuar Mehmeti-Sejrani.

Nga Prokuroria e Prizrenit kanë treguar se prokurori kujdestar ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, dhe ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës me urgjencë të dërgohet për kryerje të obduksionit në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, sepse janë vërejtuar disa shenja në trup.

“Pas raportit të IML-së, dhe konstatimit të tyre, do të veprohet më tutje.

Një grua, 67-vjeçare, nga fshati Kuk i Dragashit ka vdekur në orët e para të mëngjesit të së hënës.

Sipas Policisë, viktima kishte pasur shenja dhune në trup.