Vazhdon takimi maratonik Kurti- Vuçiq në Ohër edhe pas 5 orësh

Kanë kaluar më shumë se 12 orë prej kur kanë filluar takimet në qytetin e Ohrit në Maqedoninë Veriore në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi trepalësh në mes të kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, shefit të diplomacisë evropian Josep Borrell si dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka filluar rreth orës 15:30 dhe është duke vazhduar ende, pas një pauze të shkurtër.

Epilogu i këtij takimi nuk dihet, por tema e këtij takimi është ankesi i zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur si plani – franko gjerman.

Përpara se të ulen së bashku në tavolinë, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime bilaterale me Borrell dhe Lajçak, e të njëjtën gjë e ka bërë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Në mëngjes kryeministri i Kosovës, ka zhvilluar takim me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti dhe ministrin e jashtëm të Maqedonisë, Bujar Osmani.

Pas këtyre takimeve, Kurti ka takuar të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Dimitar Kovachevski presidentin e këtij vendi, Stevo Panderovski.

Përpara se të takonte krerët shtetëror maqedonas, Kurti foli pak para gazetarëve duke thënë se është optimist për takimin e sotëm.

“Përveç se jam optimist, kam ardhur me vullnet të mirë, dhe me mirëbesim që dakordimin e arritur me herët ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshje. Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar. Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur e serioz, që duhet të rezultojë me marrëveshje, marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar. Pra nuk kam ardhur për bisedime për bisedime por për bisedime për marrëveshje”- është shprehur Kurti.

Edhe presidenti serb, Vuçiq ka takuar krerët e shtetit Maqedonas, por nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për media.

Ndërmjetësuesi i këtij takimi Josep Borrell në mëngjesin e sotëm ka shkruar në twitter, duke thënë se Sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor sot janë të kthyer kah Ohri.

Borrell ka paralajmëruar se do ti adresohet mediave pasi të përfundojnë takimet e sotme.

Takimi i Ohrit vie pas takimit të 27 shkurtit në të cilin palët ishin dakorduar për planin e BE-së por nuk kishin nënshkruar ndonjë marrëveshje.