Valmir Elezi: Nesër bëhet e ditur nëse do ketë rinumërim të ndonjë vendvotimi

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Vlamir Elezi ka thënë se nesër pritet të mbahet mbledhja ku do shqyrtohet raporti që del nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.

Sipas tij, në mbledhje do diskutohen vendvotimet që nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta, për shkak të parregullsive.

“Të enjten, KQZ-ja do të mbajë mbledhjen e radhës për të shqyrtuar raportin që del nga QNR pas përfundimit të procesit të hetimit dhe verifikimit të atyre vendvotimeve, të cilat nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta, pasi është vërejtur ndonjë parregullsi e çfarëdo natyre”, tha Elezi.

Ai shtoi se, pas rekomandimit nga QNR, KQZ-ja do të vendos nëse është e nevojshme të bëhet rinumërim i ndonjë vendvotimi, me qëllim të saktësimit të gjendjes brenda një kutie votimi.

Elezi theksoi se, KQZ është në pritje të vendimmarrjes nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me dorëzimin e ankesave, afati për të cilat përfundon nesër.

“Po ashtu, KQZ-ja është në pritje të vendimmarrjes nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat që janë parashtruar në këtë institucion. Siç e dini, afati ligjor për vendosjen lidhur me këto ankesa përfundon të enjten”, shtoi Elezi.

Ai potencon se në QNR është duke u bërë edhe skanimi i listës përfundimtare të votuesve, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të krahasohen votat e rregullta dhe ato me kusht.

“Ky skanim është i domosdoshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krahasojmë pjesëmarrësit në votim në vendvotimet e rregullta me personat që votuan me kusht. Kjo do të na bënte të mundur të identifikojmë rastet nëse një person ka votuar dy herë: në vendvotimin e rregullt, por edhe me kusht”, shtoi Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së, gjithashtu bëri të ditur se me qëllim të rritjes së transparancës për procesin zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me publikimin e formularëve të rezultateve të cilët janë plotësuar në vendvotime, më 17 tetor, pas numërimit të fletëvotimeve.

Si procedurë, këta formularë, skanohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe pastaj ngarkohen në ueb faqen e KQZ-së.

Elezi shtoi se, formularët e publikuar janë kopje e formularëve të plotësuar në vendvotime dhe çdo kandidat i interesuar mund t’i shfletojë për ta parë rezultatin që ka arritur në çdo vendvotim.

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke vazhduar puna në tri ndërrime, me qëllim të arritjes së afateve ligjore, për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, i cili duhet të mbahet 4 javë pas ditës së zgjedhjeve.