Vajza e ministrit Sveçla evakuohet nga Izraeli në Shqipëri

Vajza e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla është evakuuar nga Izraeli në Shqipëri të dielën në mbrëmje, mëson KALLXO.com.

Ajo është në mesin e disa shtetasve të tjerë që u evakuuan sonte përmes një fluturimi nga Izraeli drejt aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë.

Izraeli ka shpallur të dielën zyrtarisht gjendje lufte, pas sulmeve nga Hamasi nga e shtuna.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka njoftuar se të dielën në mbrëmje ka mbërritur aeroplani i parë me qytetarë shqiptarë të cilët kanë kërkuar të largohen nga Izraeli pas shpalljes së gjendjes së luftës.

Sipas njoftimit, në të ishin 40 pasagjerë, mes të cilëve edhe shtetas nga vendet e rajonit si Kosovë, Maqedonia e Veriut.

“…të ndihmuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ambasada Shqiptare në Izrael është ulur në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’…”- thuhej në njoftim.

Ministria theksoi se në ditët në vijim do të ketë sërish të tjera fluturime të posaçme drejt Tel Aviv, “ndërkohë që MEPJ është në koordinim edhe ministritë simotra të vendeve të rajonit për tu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre.”