PDK: Qeveria Kurti të emërojë në UP njerëz që ia duan të mirën Universitetit

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci deklaroi se shumë shpejt do të funksionalizohet Bordi i Universitetit të Prishtinës.

Ajo ka njoftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës se janë në proces të rekrutimit të anëtarëve të Bordit.

“Jemi në përfundim të zgjedhjes së anëtarëve të bordit të UP-së, shumë shpejt do të funksionalizohet”, tha ministrja Nagavci gjatë raportimit në Komisionin për Arsim.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha i kërkoi ministres Nagavci që në Bord të Universitetit të Prishtinës të zgjidhen njerëz që “ia dojnë të mirën UP-së”

“Kërkoj zotim publik nga ju që mos të zgjedhen profesorë që punojnë në fakultete private e të vijnë në Bordin e UP-së, ata nuk munden me ia dashtë të mirën UP-së, andaj të zgjidhen njerëz të duhur”, ishte kërkesa e deputetes Hoxha.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së Vlora Dumoshi tha se 100 ditshi i punës së Ministrisë së Arsimit është karakterizuar vetëm me vendime të shpejta.

“Më la përshtypje që nuk përmendet asnjë sfidë në 100 ditshin tuaj. Veprimet që keni marrë janë ad hoc dhe lënë për të dëshiruar. Deri më tani me keqardhje e them që ajo se çfarë keni bërë gjatë këtyre ditëve nuk korrespodon me programin që e keni promovuar”, tha Dumoshi.