Liqeni i Radoniqit

Ujësjellësi i Gjakovës u bën thirrje qytetarëve të mos blejnë aparate për filtrimin e ujit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Gjakova’ përmes një komunikate ka bërë thirrje qytetarëve që të mos blejnë aparate për filtrimin e ujit nga kompani private.

Sipas njoftimit, KRU ‘Gjakova’ ka apeluar konsumatorëve që të mos bien pre e manipulimeve, pasi sipas tyre, kompanitë po keqinformojnë në lidhje me cilësinë e ujit të pijshëm.

“Apelojmë tek konsumatorët tanë që të mos bien pre e këtyre manipulimeve duke shpenzuar të holla në këto aparate pasi që cilësia e ujit e cila furnizon zonën e menagjuar nga KRU “Gjakova” i plotëson të gjitha standardet e kërkuara nga IKSHP dhe mekanizmat e tjerë mbikqyrës duke ju siguruar që furnizimi me ujë është i cilësisë më të lartë të mundshme”, thuhet në komunikatë.

KRU ‘Gjakova’ ka përcjellur edhe një reagim të Këshillit Ndërministror të Ujërave, ku thuhet se cilësia e ujit të pijshëm që furnizohet përmes sistemit publik të ujësjellësit, është e mirë dhe në pajtim me standardet e cilësisë të përcaktuara me ligj.

“Pra,bëhet fjalë për mashtrim të qytetarëve duke manipuluar përmes demonstrimit se kinse uji nga sistemi i ujësjellësit nuk është i cilësisë së duhur dhe që duhet të filtrohet me aparate të filtrimit. Demonstrimi i “cilësisë së keqe” të ujit të sistemit të ujësjellësit bëhet me elektrolizën e ujit të rubinetit”, thuhet në reagimin e Këshillit Ndërministror të Ujërave.