Udhëheqësi i auditimeve përmend komunat që nuk kanë probleme me menaxhimin e pronave

Bujar Bajraktari, udhëheqës i auditimeve në Zyrën Kombëtare të Auditimit ka thënë se në raportin e vitit 2019 janë disa komuna ku nuk është ngritur çështja e pronave.

Ai në emisionin “Jeta në Komunë” ku po diskutohet për pazaret milionëshe me pronat tha se në raportet e tyre çështja e pronave vlerësohet në tre kapituj të ndryshëm.

“Nga këndvështrimi i auditimit, çështje që lidhen me prona komunale i trajtojmë në raportet tona në disa kapituj, në kapitullin e të hyrave, ku ekzaminohet procesi i të hyrave nga dhënia me qira e pronave komunale, pasqyra financiare, menaxhimi i borxheve që subjektet kanë ndaj komunanve. Pjesa e pasurive, evidenitmi i tyre,” ka thënë Bajraktari.

Tutje Bajraktari përmendi komunat në të cilat nuk është gjetur se kanë problem me menaxhim të pronave.

 

“Nga raportet e auditimtit të vitit 2019 ka disa komuna në të cilat nuk është ngritur ndonjë çështje lidhur me pronat. Në mesin e tyre janë komuna e Shtimes, Pejës, Klinës, por vetëm pse auditori nuk ka gjetur kjo nuk do të thotë se nuk ka probleme me menaxhim të pronave,” ka shtuar tutje Bujar Bajraktari.

Më 20 korrik 2020 në Kuvendin e Kosovës është themeluar një komision për hetimin e privatizimit të pronave shoqërore që është bërë nga ish-Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Ky komision po heton se si janë shitur tokat në vlerë prej dy dhe tre euro për ari.