Shteti gjerman pa përgjigje në kërkesën e Ministrisë se Drejtësisë për dëgjimin e 3 dëshmitarëve në rastin e vrasjes në vitin 1999

Pasi shteti gjerman nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën e Ministrisë se Drejtësisë për dëgjimin e 3 dëshmitarëve përmes videolinkut, gjykata ka shtyrë seancën ndaj Bujar Bajraktarit, i cili po akuzohet për vrasje të rëndë.

Aktakuza e prokurorisë se Pejës e ngarkon Bajraktarin për vrasjen e një burri të komunitetit rom në gusht të vitit 1999.

Në seancën e sotme gjyqësore gjyqtarja e rastit, Violeta Husaj- Rugova tha se nga Ministria e Drejtësisë është njoftuar se këta të fundit serish kanë provuar që të sigurojnë prezencën e 3 dëshmitarëve përmes videolinkut, dëshmitarë këta që gjenden në shtetin e Gjermanisë, mirëpo që shteti gjerman nuk ka kthyer përgjigje lidhur me këtë çështje.

Gjyqtarja shtoi se përmes kontaktit me një familjarë të dëshmitarëve, është njoftuar se dëshmitarët janë të gatshëm të deklarohen përmes videolinkut.

KALLXO.com ka raportuar se dëshmitarët në fjalë nuk ndihen të sigurtë të vijnë në gjykatë dhe të deklarohen për çështjen.

Në seancën e sotme nuk ishte i pranishëm as mbrojtësi i viktimave.

Në këto rrethana seanca e sotme është shtyrë për datën 18 nëntor 2021në ora 9:30 dhe më datë 24 nëntor 2021, me fillim nga ora 13:30.

Sipas aktakuzës, në gusht të vitit 1999, Bajraktari pas një fjalosjeje me të ndjerin Cenë Malisheva, e kishte goditur me shuplakë e më pas nga qerrja me kali e kishte nxjerrë një shufër druri me të cilën e kishte goditur viktimën në pjesën e pasme të kokës.

Dosja e Prokurorisë sqaron se Cenë Malisheva nga plagët e marra kishte vdekur të njëjtën ditë në Spitalin Regjional të Pejës.