Foto: KALLXO.com

Vrasja e vitit 1999 në Klinë, anulohet seanca ndaj Bujar Bajraktarit

Bujar Bajraktari, sot pritej që të ulej në bankën e të akuzuarit për vrasjen e një burri të komunitetit rom në gusht të vitit 1999.

Por seanca e sotme është anuluar nga gjykata për shkak të masave lidhur me pandeminë.

Gjyqtarja e rastit tha se për shkak të numrit të lartë të pjesëmarrësve është e pamundur të mbahet distanca në sallë.

Seanca e fundit për këtë rast është mbajtur me 12 prill të këtij viti.

I akuzuari Bajraktari ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e prokurorisë.

Sipas aktakuzës, në gusht të vitit 1999, Bajraktari pas një fjalosjeje me të ndjerin Cenë Malisheva, e kishte goditur me shuplakë e më pas nga qerrja me kali e kishte nxjerrë një shufër druri me të cilën e kishte goditur viktimën në pjesën e pasme të kokës.

Dosja e Prokurorisë sqaron se Cenë Malisheva nga plagët e marra kishte vdekur të njëjtën ditë në Spitalin Regjional të Pejës.

Aktakuza e prokurorisë është ngritur me 7 shkurt 2020.