Turqia është shpresa e vetme e BE-së

Shkruan Philip Balboni, Kandidat për doktoraturë në antropologji kulturore në Universitetin e Kalifornisë

Pranimi i anëtarësimit të Turqisë në BE do t’i ofronte Evropës mundësinë për ta ripërcaktuar veten dhe arsyen e ekzistencës së saj.

E themeluar mes rrënojave të Perandorisë Osmane, Turqia e kaloi pjesën më të madhe të shekullit të saj të parë duke e ndjekur një program modernizimi politik dhe perëndimorizimi kulturor për të cilin shumë shpresonin se do të dëshmonte përshtatshmërinë e saj për përfshirje brenda Evropës.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të qeverive të njëpasnjëshme, Turqia është përjashtuar herë pas here nga Bashkimi Evropian. Ky përjashtim është i përfshirë në një debat të gjatë dhe të shëmtuar rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh evropian, i bazuar në shqetësimet gjeopolitike dhe ksenofobike.

Në Turqi, megjithatë, mund të ketë një dritare për ndryshim. Nëse kandidati pro-evropian i opozitës Kemal Kilicdaroglu e mund Presidentin Rexhep Tajip Erdogan në balotazhin e datës 28 maj, BE-së do t’i paraqitet edhe një herë një mundësi për ta zgjeruar anëtarësimin e saj dhe për t’i treguar botës se ka ndryshuar.

Duke iu kundërvënë ankthit shekullor evropian për afërsinë e fqinjit të saj mysliman, përfshirja turke në BE do t’i ofronte Evropës shansin e saj më të mirë për ta ripërcaktuar veten dhe arsyen e saj të ekzistencës – për të mos e përmendur të fituarit e një partneri të vlefshëm në procesin e saj.

Në një artikull editorial të vitit 1919 të titulluar “Shkarkimi i Turqisë” (Disposing of Turkey), New York Times shkruante se lejimi i turqve për të mbajtur kontrollin e Stambollit do të ishte “një tjetër nga kompromiset e panumërta të çështjes turke që kanë sjellë kaq shumë telashe në shekujt e kaluar”.

Ndërkohë që aleatët fitimtarë po i gdhendnin territoret e Perandorisë Osmane dhe po mendonin se si ta kapnin një pjesë të madhe të Anadollit nga një shtet post-osman turk, Times e pati mbështetur dhënien e Konstandinopojës në Mbretërinë e Greqisë, duke i dëbuar kështu “pushtuesit barbarë që për një kohë të gjatë e rrënuan Evropën”.

Ëndrra për “asgjësimin” e turqve nuk ishte e veçantë për Times. Edhe pse një aleat i rastësishëm i Perëndimit (si në Luftën e Krimesë), “turku i tmerrshëm” u tall dhe përçmohej kryesisht në kryeqytetet evropiane si antagonisti kryesor i Evropës së krishterë.

Megjithatë, në realitet, turqit kanë qenë gjeografikisht pjesë e Evropës që nga shekulli i 11-të dhe kanë marrëdhënie të thella politike, kulturore dhe ekonomike me fqinjët e tyre perëndimorë. Kjo nuk do të thotë asgjë për faktin se përbërja gjenetike e Turqisë moderne është afërsisht 40 për qind evropiane.

Megjithëse marrëdhënia moderne e Turqisë dhe Evropës ka qenë e diskutueshme, është më e ndërlikuar sesa armiqësia e ndërsjellë.

Siç ka shkruar Orhan Pamuk, në Turqi, Evropa është perceptuar si “një vizion i së ardhmes” dhe një “kërcënim”; një “shfaqje herë e dëshiruar dhe herë e frikësuar”.

Gjatë gjithë shekullit të 20-të, politikanët në të dy anët e Bosforit punuan për t’i forcuar lidhjet ndërmjet vete. Ndërkohë që disa turq kishin frikë se kjo do ta kërcënonte autonominë turke, qeveritë e njëpasnjëshme shpresonin se ky partneritet do të ndihmonte në modernizimin e ekonomisë dhe fitimin e legjitimitetit politik në skenën botërore.

Rruga e Turqisë drejt partneritetit ishte e trazuar, megjithatë, e dëmtuar nga paqëndrueshmëria e brendshme politike dhe një histori e dobët e të drejtave civile dhe drejtave të njeriut. Historia e saj e grushtshteteve, së bashku me dhunën intensive politike të viteve 1970, u dha një pauzë serioze liderëve evropianë duke marrë parasysh integrimin ekonomik – e jo më politik – të Turqisë brenda Evropës.

Këto shqetësime u shtuan nga disa të tjera, veçanërisht antagonizmi turko-grek në Detin Egje, pushtimi i Qipros nga Turqia dhe represioni shtetëror ndaj pakicës së saj të madhe kurde.

Mosgatishmëria e Turqisë për ta njohur gjenocidin armen, për më tepër, nuk shkoi në asnjë favor gjatë negociatave me liderët e BE-së.

Pavarësisht legjitimitetit të këtyre shqetësimeve, turqit mendonin se vendi i tyre mbahej me standarde më të rrepta se kandidatët e tjerë potencialë për anëtarësim në Komunitetin Ekonomik Evropian dhe BE.

Megjithëse nënshkroi marrëveshje doganore në vitin 1995 dhe fitoi statusin e kandidatit në BE në 1999, përpjekjet integruese të Turqisë kanë lëvizur ngadalë, ndërkohë që shtetet tjera u futën në një shteg më të shpejtë.

Çështjet e qeverisjes, ekonomisë dhe të drejtave të njeriut, të ngjashme me ato të mbajtura kundër Turqisë, nuk i penguan një numër shtetesh të Evropës Qendrore dhe Lindore si Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia që ta merrnin statusin e BE-së ndërkohë që kërkesat e Turqisë u shtynë vazhdimisht.

Këto shtyrje u racionalizuan me arsyetimin se Turqia duhej të bënte më shumë progres në zhvillimin e një ekonomie tregu dhe arritjen e reformave politike demokratike. Megjithatë, shumë e panë arsyetimin e BE-së si të çaluar, duke pasur parasysh se ekonomia dhe institucionet politike të Turqisë ishin më të zhvilluara dhe më liberale se shumë prej shteteve të pranuara.

Shumë në Turqi besuan se shqetësimet politike dhe ekonomike nuk ishin pengesat reale për integrimin.

Disa vende evropiane – duke përfshirë Austrinë, Danimarkën, Francën, Greqinë, Luksemburgun dhe Holandën – u mbështetën në bilbilat islamofobike të qenve* dhe thirrjet ndaj diskurseve të dallimeve civilizuese për ta kundërshtuar anëtarësimin turk.

Heshtja evropiane u ilustrua për shumë turq me një deklaratë të vitit 1997 nga përfaqësuesit e Partisë Demokristiane Gjermane: “Bashkimi Evropian është një projekt qytetërimi dhe brenda këtij projekti qytetërues Turqia nuk ka vend”.

Mbështetësit e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan e mbajnë një pankartë me portretin e tij jashtë selisë së ‘Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim’ pas mbylljes së qendrave të votimit në zgjedhjet e Turqisë në Ankara.

Në vitin 2005, pas reformave të rëndësishme, megjithëse të pamjaftueshme, demokratike, qeveria e një Erdogani të atëhershëm pro-evropian hapi bisedimet formale të pranimit në BE duke i lënë të entuziazmuar shumë nga popullata turke.

Mirëpo skepticizmi i vazhdueshëm nga ana e shumë liderëve evropianë ndaj një kombi me shumicë myslimane dëmtoi përparimin e negociatave.

Udhëheqësit eminentë të BE-së e bënë të qartë se ata e kundërshtonin anëtarësimin turk për shkak të kulturës dhe identitetit, po aq sa për shkak të politikës dhe parimeve.

Si përgjigje, mbështetja turke për anëtarësim filloi të zbehet. Ndërkohë që ndjekja e pakënaqur e Brukselit për negociatat e pranimit e dobësoi levën e tij mbi regjimin e Erdoganit, presidenti turk e përqafoi një populizëm gjithnjë e më autoritar, duke rezultuar në ngrirjen e bisedimeve të anëtarësimit në vitin 2019.

Perspektivat për rinovimin e diplomacisë në këtë fushë duken të pakta, por situata e brendshme në Turqi mund të ndryshojë së shpejti.

Kilicdaroglu ka shprehur interes të fortë për avancimin e bisedimeve të pranimit Turqi-BE, dhe edhe nëse Kilicdaroglu dështon të fitojë balotazhin e zgjedhjeve, mund të jetë moment i mençur që një Erdogan fitimtar, një kameleon politik prej kohësh, të ndryshojë mendjen e tij për marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin.

Negociatat e rinovuara Turqi-BE do t’u paraqesin të dyja palëve një mundësi kritike për përfitime ekonomike dhe gjeopolitike.

Popullsia në rritje e Turqisë është e re dhe e aftë dhe do t’i ofronte punëtorë shumë të nevojshëm Evropës në plakje; në këmbim, një vendim për liberalizim vizash mund ta kundërshtojë shkallën në rritje të papunësisë në Turqi.

Turqia, për më tepër, posedon sektorë të fuqishëm të prodhimit dhe bujqësisë, si dhe potencialin për të vepruar si një qendër energjetike në kanalizimin e naftës dhe gazit natyror nga Azia Qendrore dhe Lindja e Mesme në Evropë.

Hyrja në bashkimin doganor mund ta lehtësojë tregtinë dhe ta forcojë PBB-në në të gjithë kontinentin, dhe ndryshimet në qeverisje dhe politikën fiskale, të cilat mund të nxiten nga rinovimi i negociatave të anëtarësimit në BE, mund ta ndihmojnë akoma Turqinë t’i shpëtojë “kurthit me të ardhura mesatare”.

Përfaqësuesit turq në Bruksel do të ndihmonin gjithashtu në negociatat me shtetet me shumicë myslimane, si dhe me shtetet joperëndimore që ende e shohin (në një farë mase udhëheqësit perëndimorë kanë dështuar ta kuptojnë kryesisht) Evropën si fanatike dhe imperialiste në mënyrë të pariparueshme.

Siç ndodhi në shekullin e 20-të, detyrimet e mundshme të anëtarësimit të Turqisë në BE janë gjithashtu të rëndësishme. Ka shqetësime të menjëhershme për krizën financiare të Turqisë dhe shkatërrimin e shkaktuar nga tërmetet e fundit.

Më gjerësisht, Turqia është e prirë si nën qeveritë laike ashtu edhe ato islamike drejt autoritarizmit me shtypjen e vazhdueshme të aktivistëve, protestuesve dhe pakicave.

Kufijtë e Turqisë hapin vija të reja të frontit për krizën e emigrantëve, si dhe një rrugë për grupet terroriste për të depërtuar thellë në kontinent. Megjithatë, kriza e emigrantëve dhe kërcënimi i terrorizmit janë të pranishëm pavarësisht se ku fillojnë dhe ku mbarojnë kufijtë e BE-së, dhe politikat ekonomike me të meta që e kanë përkeqësuar ekonominë post-pandemike të Turqisë mund të ndryshohen.

Mbi të gjitha, turqit kanë demonstruar vazhdimisht këmbëngulje dhe jofrikë në luftën e tyre për një shoqëri të lirë, edhe me koston gjithnjë e më të lartë të protestave. Herët a vonë, shumica e turqve që aspirojnë një shoqëri të tillë do ta arrijnë atë.

Pra, pengesa më kritike për anëtarësimin e Turqisë mbetet terreni kompleks i identitetit dhe qëllimit moral evropian dhe projeksioni i tyre në skenën botërore.

Përtëritja e negociatave të pranimit me besim të mirë do të ishte goditje ndaj ringjalljes së populizmit të krahut të djathtë dhe ligjërimeve të shovinizmit evropian, të cilat e mbështesin identitetin evropian në idetë e homogjenitetit racor dhe fetar (dhe shpesh supremacisë) dhe jo në angazhimin kozmopolit ndaj pluralizmit, barazinë dhe universalitetin e dinjitetit dhe të drejtave të njeriut.

Natyrisht, perspektiva e anëtarësimit të Turqisë do t’i siguronte padyshim të drejta me tema të fuqishme bisedimi. Megjithatë, inati që do të gjeneronte ky aderim është pikërisht thelbi: Përfshirja e një kombi me shumicë myslimane do të përbënte një mohim të fuqishëm të atyre që do ta përcaktonin identitetin evropian përmes parokializmit (mendjengushtësisë) të ngjyrës dhe besimit.

E thënë thjesht, mundësia e anëtarësimit të Turqisë në BE i ofron Evropës mundësinë për t’u bërë ajo që ka aspiruar prej kohësh.

Duke e mirëpritur zyrtarisht Turqinë në komunitetin e saj, Evropa do t’i dërgonte një sinjal të qartë botës së dikurshme të kolonizuar, e ndikuar gjithnjë e më shumë nga thirrjet egoiste të Moskës dhe Pekinit për anti-imperializëm, se kontinenti mund të demonstrojë multikulturalizmin që ka përqafuar prej kohësh jashtë vendit, por që rregullisht kundërshtohet në shtëpi.

Megjithatë, kjo hapje nuk është e pacaktuar. Edhe nëse Kilicdaroglu ia del mbanë, ose nëse Erdogani paszgjedhor orientohet drejt Perëndimit, turqit mund të vendosin që BE-ja nuk është më rruga më e mirë për një të ardhme më të ndritur.

E ardhmja e Evropës, nga ana tjetër, do të vazhdojë të qëndrojë – siç ka qenë gjithmonë – në aftësinë e saj për t’i kapërcyer lidhjet provinciale, dallimet e vogla dhe paragjykimet kulturore. Turqia është, në këtë mënyrë dhe pavarësisht nga të gjitha rreziqet, shansi më i mirë i Evropës për t’u bërë vetja e saj ideale. Nëse ofrohet mundësia, nuk duhet humbur./Foreign Policy

Përgatiti: Nuhi Shala