Balotazhi i zgjedhjeve në Turqi: Nacionalizëm, lajme të rreme, ksenofobi

Përpara balotazhit për postin e presidentit të ardhshëm të Turqisë, kandidati opozitar Kemal Kilicdaroglu ka adoptuar retorikë nacionaliste, kundër refugjatëve, ndërsa mbështetësit e Erdoganit po mbështeten në lajmet e rreme për të marrë sa më shumë vota.

Toni i fushatave në vazhdim në Turqi po nxehet përpara balotazhit të ditës së nesërme midis presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan dhe kundërshtarit të tij Kemal Kilicdaroglu.

Ndërkohë që kampi qeveritar duket se po i përdor të gjitha mjetet e nevojshme për të shpifur për opozitën dhe për ta portretizuar kandidatin e saj presidencial si tradhtar, Kilicdaroglu gjithashtu është futur në ofensivë.

“Erdogan, ti je ai që negocioi me terroristët pas dyerve të mbyllura”, deklaroi Kilicdaroglu së fundmi në një aktivitet të fushatës. “Kush jeni ju dhe çfarë ju jep të drejtën të vini në dyshim patriotizmin tim?”

Postera të manipuluar të fushatës

Mbështetësit e Erdoganit i kanë zgjedhur lajmet e rreme për ta nxitur fushatën e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet.

Ka posterë të panumërt të rremë në lidhje me Partinë Popullore Republikane (CHP), partia më e madhe opozitare e Turqisë, që qarkullojnë nëpër internet. Njëra përmban logon e CHP-së dhe thotë: “Për ne, YPG nuk është një organizatë terroriste. Vendosni tani!”

Njësitë e Mbrojtjes së Popullit – YPG – është një polici kurde në Siri që është e lidhur ngushtë me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila është e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia dhe vende të tjera, përfshirë SHBA-në.

Organizata e verifikimit të fakteve Teyit.org e ka analizuar vërtetësinë e këtij posteri, së bashku me të tjerë, dhe ka konfirmuar se ata nuk janë aspak pjesë e fushatës zyrtare zgjedhore të CHP-së.

Para raundit të parë të zgjedhjeve më 14 maj, lajmet e rreme për opozitën turke ishin tashmë të përhapura, por sipas vëzhguesve, keqinformimi është bërë më i gjerë dhe sistematik në prag të balotazhit.

Kilicdaroglu shpreson të ndezë armiqësinë kundër refugjatëve

Opozita e ka ndryshuar gjithashtu strategjinë e saj që nga raundi i parë i zgjedhjeve. Duket se strategët e brendshëm të partisë e kanë vlerësuar si shenjë dobësie këmbënguljen e Kilicdaroglu për një ton pajtues, pavarësisht agresionit të Erdoganit. Ata kanë vendosur ta provojnë një qasje të re.

Opozita jo vetëm që dëshiron të fitojë votuesit me patriotizëm tani, por edhe me armiqësi ndaj refugjatëve. Qëllimi është ta bindë pjesën më të madhe të elektoratit: nacionalistët që janë kritikë ndaj qeverisë.

Kilicdaroglu është përballur drejtpërdrejt me kundërshtarin e tij, duke pretenduar se Erdogan ka sjellë tashmë 10 milionë refugjatë në Turqi dhe nëse ai qëndron në pushtet, i njëjti numër do të vijë sërish në Turqi.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se refugjatët, mafiozët dhe baronët e drogës do t’i pushtojnë qytetet turke.

Nëse fiton, ai ka bërë të ditur vazhdimisht se do t’i kthejë prapa të gjithë refugjatët. Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), aktualisht në Turqi jetojnë rreth 4 milionë refugjatë.

Kemal Bozay, ekspert nga Qendra për Kërkimin dhe Parandalimin e Radikalizimit në Universitetin Ndërkombëtar të Shkencave të Aplikuara në Këln të Gjermanisë, e konsideron ndryshimi e strategjisë së Kilicdaroglu si “radikale”.

Bozay ka thënë se deri më tani motoja e 74-vjeçarit në thelb ishte “gjithçka do të jetë mirë”, por toni i fushatës së tij është bërë dukshëm më agresiv. Mirëpo ai shpjegoi se plani për t’u bërë thirrje mbështetësve të kandidatit nacionalist ultra të djathtë, Sinan Ogan, i cili doli i treti në raundin e parë, ishte i rrezikshëm.

“Kilicdaroglu nuk duhet të harrojë se ai u zgjodh në qytetet e mëdha dhe zonat metropolitane dhe në bastionet kurde nga kurdët, të majtët dhe votuesit me prirje progresive,” shtoi Bozay. Ai tha se këta votues mund të mos e mbështesin retorikën dhe qasjen armiqësore të Kilicdaroglu në lidhje me refugjatët. Ata madje mund të ndihen aq të frustruar saqë si rezultat mund të abstenojnë edhe nga votimi.

Erdogani ndihet komod dhe i releksuar

Ndërkohë që opozita përpiqet për strategji të reja, Erdogan duket i kënaqur të llogarisë në stabilitet dhe besim.

“Të nderuar shokët dhe shokët e mi, ne kemi përjetuar tani zgjedhjet më kritike në historinë tonë… Unë ju besoj,” – shkroi 69-vjeçari në Tëitter.

Pas më shumë se 20 vjetësh, opozita kishte shpresuar se më në fund do t’i jepte fund sundimit të Erdoganit më 14 maj.

Kilicdaroglu dilte i pari në shumicën e sondazheve. Kjo është arsyeja pse zhgënjimi ka qenë kaq i përhapur në mesin e mbështetësve të opozitës.

Asnjë nga kandidatët nuk mori shumicën absolute të votave në raundin e parë. Kilicdaroglu mori pothuajse 45% të votave dhe Aleanca e tij Kombëtare mori 35%. Tani ajo ka 213 ulëse në parlament, shumë më pak se sa pritej.

Presidenti Erdogan mori 49.5% të votave ndërkohë që Aleanca e tij mori 322 nga 600 ulëset në parlament, duke siguruar një shumicë për pesë vitet e ardhshme. Pra, presidenti aktual po futet në balotazhin e së nesërmes me një pozicion të fortë.

Votimi në shtetet e huaja ka filluar

Më shumë se 3.4 milionë turq që jetojnë jashtë Turqisë kanë të drejtën e votës dhe votimi në balotazh ka filluar tashmë për ta.

Sipas sondazheve, Erdogan po ecën më mirë mes këtij grupi votuesish sesa brenda vendit: 57.5% e turqve që jetojnë jashtë votuan për të në raundin e parë dhe ai u ka bërë thirrje edhe një herë atyre që “ta mbrojnë lidershipin e Turqisë”.

“Turqit që jetojnë në vende të tjera mund ta luajnë një rol të madh në një fitore të Erdoganit”, thotë Bozay. “Ai patjetër ka nevojë për votat e tyre gjatë balotazhit.”/