Turqia e ka ndaluar një anije ruse që po transportonte drithë të ‘vjedhur’ ukrainas

Të paktën dy persona janë vrarë dhe shtatë janë plagosur pasi “granatimet masive” goditën qytetin lindor të Ukrainës, Sloviansk, thonë zyrtarët. Kryetari i bashkisë, Vadim Lyakh, u bëri thirrje banorëve të evakuohen pasi forcat ruse goditën një treg dhe një zonë banimi. Ukraina më parë u tërhoq nga Lysychansk, duke nxitur spekulime se Rusia tani do të përqendrohej në Sloviansk dhe Kramatorsk në jug, dy qytetet kryesore në Donetsk ende të mbajtura nga Ukraina.

Guvernatori i Donetskut u ka kërkuar 350 mijë civilëve që të evakuohen ndërsa trupat ruse po e përshkallëzojnë ofensivën e tyre në rajon. “Fati i të gjithë vendit do të vendoset nga rajoni i Donetskut”, u tha gazetarëve Pavlo Kyrylenko. “Sapo të ketë më pak njerëz, ne do të jemi në gjendje të përqendrohemi më shumë te armiku ynë dhe t’i kryejmë detyrat tona kryesore.”

Forcat ukrainase kanë marrë linja të reja mbrojtëse në Donetsk, ku ende i kontrollojnë qytetet e mëdha dhe planifikojnë të nisin kundërsulm në jug të vendit. Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai, tha se beteja njëjavore për Lysychansk kishte tërhequr trupat ruse që mund të kishin luftuar në fronte të tjera dhe u kishte dhënë kohë forcave të Ukrainës për të ngritur fortifikime në rajonin e Donetskut për ta bërë “sa më të vështirë për rusët atje”.

Separatistët e mbështetur nga Rusia kanë kapur dy anije me flamur të huaj në qytetin port të Mariupolit të pushtuar nga Rusia dhe pretendojnë se ato janë “pronë shtetërore”. Republika e vetëshpallur Popullore e Donetskut (DPR) informoi dy kompani detare se anijet e tyre ishin objekt i “përvetësimit me forcë të pasurisë së luajtshme me shndërrim të detyruar në pronë shtetërore”.

Një anije me flamur rus që transportonte mijëra tonë drithë po mbahet dhe po hetohet nga autoritetet turke mbi pretendimet se ngarkesa e saj është vjedhur nga Ukraina. Zyrtarët doganorë turq e ndërmorrën këtë veprim pasi Kievi pretendoi se Zhibek Zholy po transportonte ilegalisht 7,000 tonë drithë nga Berdiansk i pushtuar nga Rusia, një port ukrainas në juglindje të vendit. 

Ukraina i ka kërkuar Turqisë t’i hetojë tri anije të tjera ruse që pretendon se transportojnë grurë të vjedhur. Një letër e 13 qershorit e parë nga Reuters zbuloi se zyra e prokurorit të përgjithshëm ukrainas i kërkoi ministrisë së drejtësisë të Turqisë të hetonte dhe të siguronte prova për tri anije që dyshohet se kishin transportuar grurë të vjedhur nga territoret e pushtuara ukrainase si Kherson.

Udhëheqësi i administratës së imponuar nga Rusia të rajonit të okupuar Zaporizhzhia të Ukrainës, Yevgeny Balitsky, ka thënë se rajoni ka në plan të shesë grurin e Ukrainës në Lindjen e Mesme. Vendet kryesore të përfshira në marrëveshje ishin Iraku, Irani dhe Arabia Saudite. Ukraina e ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për vjedhje të grurit, një akuzë të cilën Moska vazhdimisht e ka mohuar.

Rusia po planifikon ta nisë një lidhje hekurudhore midis rajonit të Rostovit dhe zonave Donetsk dhe Luhansk që i ka pushtuar në Ukrainën lindore, raportojnë mediat shtetërore ruse. Ndërtimi i lidhjeve të transportit ka qenë gjithashtu një prioritet për pushtuesit rusë midis Krimesë, të cilën e aneksoi në vitin 2014, dhe zonave të Khersonit që tani i ka nën pushtim.

30 vendet anëtare të NATO-s i kanë nënshkruar protokollet e pranimit për Finlandën dhe Suedinë, duke i dërguar ofertat e anëtarësimit të dy vendeve nordike në parlamentet aleate për miratim. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u bëri thirrje aleatëve që t’i ratifikojnë me shpejtësi dhe i siguroi të dyja vendet për mbështetjen e aleancës ndërkohë. Kanadaja u bë vendi i parë që e ratifikoi zyrtarisht pranimin e Finlandës dhe Suedisë.

OKB ka dokumentuar 270 raste të “ndalimit arbitrar dhe zhdukjes me forcë” të civilëve në pjesë të Ukrainës të mbajtura nga forcat e mbështetura nga Rusia dhe nga vetë Rusia, sipas shefes së OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet. Në një fjalim në të njëjtin seancë në këshillin e të drejtave të njeriut të OKB-së, zëvendësministrja e Jashtme e Ukrainës, Emine Dzhaparova e akuzoi Rusinë për rrëmbime në një shkallë “masive”.

Letonia do ta rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, njoftoi të martën ministri i saj i mbrojtjes, Artis Pabriks, pas tensionit në rritje me Rusinë fqinje si pasojë e invazionit ushtarak të kësaj të fundit në Ukrainë./The Guardian

Përktheu: Nuhi Shala