Trump dhe aleatët e tij komplotojnë hakmarrje ndaj kundërshtarëve politikë në rast të një mandati të dytë në Shtëpinë e Bardhë

Gazeta prestigjioze Washington Post raporton mbi planet që po i formulojnë ish-presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij për një mandat të dytë të mundshëm në detyrë.

Sipas burimeve të kësaj gazete, ish presidenti Trump e ka shprehur dëshirën për ta përdorur qeverinë federale për t’i hetuar dhe ndjekur penalisht kritikët dhe kundërshtarët e tij. Ai ka përmendur me emër individë, duke përfshirë ish-zyrtarët si John F. Kelly, William P. Barr, Ty Cobb dhe gjeneral Mark A. Milley, të cilët ai dëshiron t’i vëjë në shënjestër sapo ta rimarrë detyrën e presidentit të SHBA.

Trump e ka përmendur gjithashtu publikisht emërimin e një prokurori special që do ta ndjekë penalisht Presidentin Biden dhe familjen e tij, pavarësisht mungesës së provave për t’i mbështetur akuzat për korrupsion.

Tutje, Washington Post shkruan se bashkëpunëtorët e Trump kanë punuar në plane për t’i ndryshuar politikat e vjetra të dizajnuara për t’i mbrojtur ndjekjet penale nga ndërhyrja politike, gjë që ka ngritur shqetësime për erozionin e kontrolleve dhe ekuilibrave në sistemin e drejtësisë.

Aleatët e Trump e kanë eksploruar mundësinë e vendosjes së ushtrisë brenda vendit sipas Aktit të Kryengritjes (Act of Insurrection), një veprim që ka ngritur alarmin tek kritikët që e shohin atë si të rrezikshëm dhe potencialisht jokushtetues.

Akti i kryengritjes, i përditësuar për herë të fundit në 1871, e autorizon presidentin ta vendosë ushtrinë për zbatimin e ligjit vendas.

Pjesa më e madhe e planifikimit për një mandat të dytë të Trump po kryhet nga grupet e mendimit të krahut të djathtë në kuadër të projektit “Project 2025”. Kjo nismë thuhet se po zhvillon një plan për ta dislokuar ushtrinë brenda vendit sipas Aktit të Kryengritjes. Megjithatë, ky propozim, sipas ashington Post, po përballet me kritika për minimin e parimit të ndarjes së politikës nga zbatimi i ligjit.

Artikulli në fjalë vë theksin tek fokusi intensiv në ndjekjen penale të armiqve politikë dhe riformësimin e agjencive qeveritare për t’u lidhur me objektivat e Trump nëse ai do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë. Planet e Trump dhe aleatëve të tij, sipas Washington Post, kanë hedhur gjithashtu dritë mbi pakënaqësinë e Trump me prokurorët e mëparshëm të përgjithshëm, preferencën e tij për avokatë besnikë dhe dëshirën e tij për t’i dhënë përparësi të emëruarve politikë që do t’i zbatojnë politikat e tij më shpejt.

Sipas gazetës prestigjioze amerikane, këto plane të vetë Trump dhe aleatëve të tij në një mandat të dytë të mundshëm të Trump si President, mund të karakterizohet me një përpjekje të vendosur për të marrë hak ndaj kritikëve dhe për ta riformuar qeverinë federale që do të mund t’i përshtatej axhendës së tij presidenciale./Washington Post

Përgatiti: Nuhi Shala