Tragjedi në Ferizaj, 66 vjeçari vdes nga zjarri

Një burrë ka vdekur sot  rreth orës 7 në fshatin Komoglavë të Ferizajit, si pasojë e asfiksisë pas zjarrit që kaploi shtëpinë e tij.

Sipas Policisë, njësitet policore dhe zjarrfikësit kishin dalur në vendin e ngjarjes  duke intervenuar dhe lokalizuar zjarrin.

Ata më pas nga një dhomë e cila nuk ishte kapluar nga zjarri kishin nxjerrë një 66 vjeçar, i cili kishte jetuar i vetëm në shtëpi.

Vdekja si pasojë e asfiksisë është konstatuar nga mjeku kujdestar pas kontrollimit mjekësor të viktimës.

Sipas hetimeve të para, dyshohet se deri te zjarri ka ardhur nga  cigaret e pa fikura të hedhura nëpër tepihë.

“Nga dëshmitarët dhe fqinjët  jemi informuar se viktima kishte jetuar i vetëm dhe  kishte pasur edhe probleme shëndetësore ku edhe para dy muajve kishte ndodhur rast i njëjtë i zjarrit, por falë fqinjëve të cilët kishin intervenuar me kohë duke e fikur zjarrin dhe shpëtuar viktimën” njofton Policia.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore Prishtinë për autopsi.