Thaçi përkujton rënien e Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftarëve të tij

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përkujtuar rënien heroike të Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij.

Me rastin e 21 vjetorit të rënies, Thaçi ka thënë se rënia e tyre tij ishte një goditje e rëndë për luftën por që sipas tij, ata u bënë frymëzim edhe për mijëra ushtarë dhe vullnetarë që pandalshëm po i bashkoheshin radhëve të UÇK-së.

“Sot u bënë 21 vjet nga rënia heroike e Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij. Komandant “Kapuçi” ishte ndër luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe pse ende i pashëruar, ai nuk kishte pranuar të qëndrojë larg luftës, por në kushte të rënda dimri, me plagë në trup dhe me plot armatim ishte nisur drejt frontit në Kosovë”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social “Facebook”, të shtunën.

“Gjatë hyrjes në Kosovë, Muja dhe bashkëluftëtarët e tij kishin rënë në një pritë serbe, ku pas betejës së ashpër dhe thyerjes disa herë të rrethimit, duke u munduar që t’i tërheq luftëtarët e tij, heroikisht ra edhe vetë komandanti, njëri ndër bartësit kryesorë të luftës së UÇK-së plot një dekadë”, vijon njoftimi i presidentit.