Konferenca e Rambujesë në Paris, Foto: Hashim Thaçi, Facebook

Thaçi bën thirrje për “unitet që kishim në Rambuje”

Në deklarimin e parë pas intervistimit 30 orësh në Hagë, Presidenti Hashim Thaçi ka bërë thirrje për krijim të unitetit politikë, njëjtë siç ishte në negociatat e zhvilluara në Rambuje apo Vjenë.

“Duhet t’i flasim botës me një zë dhe të zhvillojmë dialogun me Serbinë me një unitet shembullor çfarë e kishim në Rambuje, në Vjenë dhe në Bruksel”, ka deklaruar Thaçi në videon e dërguar mediave.

Ai ka thënë se duhet të ketë dialog të civilizuar mes forcave politike.

“Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për dialog të civilizuar mes forcave politike, për stabilitet institucional, për qeverisje të mirë dhe unitet qytetar e politik, veçanërisht në dialogun për njohjen e saj përfundimtare nga Serbia dhe nga krejt bota”, ka thënë Thaçi duke shtuar se Kosova duhet ta kultivojë shumëllojshmërinë e mendimit dhe të jetojë me debatin e shëndetshëm mes Qeverisë dhe opozitës.

Por, sot gjatë ditës PDK-ja, ish partia e udhëhequr nga Thaçi, e ka kritikuar qeverinë Hoti për raundin e fundit të bisedimeve në Bruksel të kryeministrit Avdullah Hoti.

Mënjeherë pas PDK-së, edhe shefi i kabinetit dhe bashkëpunëtori më i afërt i presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku ka dalë kundër dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Një numër i madh i qytetarëve kishin dalur dje në kufirin Kosovë- Shqipëri duke festuar me tupana e flamuj, kthimin e presidentit Hashim Thaçi nga Haga. Thaçi për katër ditë u intervistua në Hagë.

Presidenti i vendit u intervistua për katër ditë radhazi nga Gjykata Speciale, pasi në propozim-aktakuzën e publikuar më 24 qershor nga Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendohet, se presidenti Thaçi, kryetari i PDK-së Kadri Veseli dhe nëntë të dyshuar të tjerë janë përgjegjës për krime lufte.

Sot, në një konferencë për media, Zemaj duke komentuar tubimin në pritje të Thaçit ka thënë se çdo tubim që bëhet në Kosovë e rëndon situatën epidemiologjike në Kosovë.