“Tërheqja taktike” e Projekt-Kodit Doganor pas vërejtjeve të ndërkombëtarëve

Një mospajtim i radhës mes autoriteteve qeveritare dhe një pjese të faktorit ndërkombëtar është mbajtur larg vëmendjes së publikut. Pas pakënaqësive të shprehura me rastin e hyrjes në fuqi të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës e cila nuk e lejon dinarin serb që të përdorët si valutë për kryerje të pagesave, një tërheqje vërejtjeje është bërë edhe rreth Projekt-kodit të ri doganor dhe akcizës, i cili i ka kaluar njëherë fazat e shqyrtimit nëpër komisionet parlamentare.

Ndonëse procesi i votimit për Projektin-kodin doganor kishte dështuar në seancën e mbajtur me 15.12.2023, për shkak të mungesës së kuorumit, një tentativë e dytë ishte planifikuar për seancën e mbajtur me 22.02.2024. Por, as kësaj radhe nuk u votua për shkak se kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja, kërkoi që të tërhiqet nga rendi i ditës me arsyetimin për “shmangie të kolizionit”, por pa e specifikuar konkretisht se për cilat nene bëhet fjalë. Tërheqja e projekt-kodit doganor u mbështet në pikën 78 të Rregullores së Kuvendit e cila e përcakton që në raste të caktuara një projektligj mund të kthehet në shqyrtim vetëm në komisionin raportues.

Kallxo.com ka arritur të sigurojë informacione nga dy burime zyrtare se shqetësimet dhe vërejtjet e disa prej faktorëve ndërkombëtarë në lidhje me Projekt-kodin doganor ka kohë që janë adresuar në kabinetin e kryeministrit, Albin Kurti, dhe në atë të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca. Kallxo.com ka kërkuar të marrë përgjigje në Qeveri dhe Kuvend, por prej asnjërit prej  kabineteve nuk është arritur të merret kurrfarë shpjegimi.

Ndonëse nuk janë dhënë hollësi mbi vërejtjet e adresuara, nga burimet është bërë e ditur se në shprehje është Kisha Ortodokse Serbe. Në projekt-kodin e ri, kjo kishë nuk figuron në Aneks të veçantë, siç figuron në kodin doganor që është ende në fuqi, por është e përshirë njëjtë si të gjitha bashkësitë e tjera fetare në Kosovë.

Është Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ajo që ka konfirmuar se u kanë adresuar “këshilla dhe rekomandime” autoriteteve të Kosovës përkitazi me përmbajtjen e projekt-kodit të ri doganor.

“Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë kanë ofruar këshilla dhe rekomandime për autoritetet përkatëse të Kosovës për draft Kodin e Doganave dhe Akcizave, sepse ai kufizon privilegjet e dhëna më parë për komunitetet dhe organizatat fetare nga legjislacioni aktual dhe që rrjedhin nga Plani i Ahtisaarit”, thuhet në përgjigjen që Kallxo.com e ka marrë nga Zyra e BE-së.

Në kontekst të kësaj, Zyra e BE-së, ka thënë se presin që “draft Kodi i Doganave dhe Akcizave të ndryshohet për të reflektuar shqetësimet” e tyre.

Reagimi i të vetmit deputet për projekt-kodin e ri doganor

I vetmi prej deputetëve që e ka përmendur kërkesën e një pjese të faktorit ndërkombëtar që projekt-kodi i ri doganor të mos kalojë ka qenë shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

“Ju e dini që edhe Qeveria, mirëpo edhe kryetari i Kuvendit, ka pasur një kërkesë të qartë prej faktorit ndërkombëtar të që të mos bëhet kjo. Unë nuk jam këtu që t’ju mësoj juve, s’jam, s’e kam atë rol. Por, e shoh shumë të arsyeshme si deputet i Kuvendit të Kosovës t’ju them që keni hyrë në një rrugë të gabuar”- kishte thënë Tahiri, bazuar në transkriptin e Kuvendit të publikuar më 15.02.2024.

Tahiri atë mbrëmje kishte insistuar ta dijë se cili ishte qëllimi politik për ta çuar përpara këtë çështje dhe kishte thënën se në qoftë se “doni të shkojmë në zgjedhje, shkojmë në zgjedhje, nuk është problem, por jo në këtë formë, jo në këtë procedurë”.

“Jeni në rrugë shumë të gabuar. Jeni duke i bërë dëm vendit. Jeni duke i bërë dëm vendit, dhe nuk mund ta mbani këtë ligj. Prapë do të ktheheni prapa. Kërkesa ime është që të keni kujdes, kryetar, për shkak se edhe ty janë duke të futur në një rrugë që nuk duhet të hysh”- kishte thënë Tahiri.

Por, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca kishte thënë se Komisioni për Integrime Evropiane ka vlerësuar se projekt-kodi dhe amendamentet nuk rregullohen në mënyrë specifike nga legjislacioni i Bashkimit Evropian.

Kurse Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe të Kthimit, sipas tij, ka vlerësuar se projekt-kodi dhe amendamentet e propozuara nuk cenojnë dhe nuk i prekin të drejtat dhe interesat e komuniteteve.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja kishte thënë që Komisioni e ka shqyrtuar projektligjin dhe ka rekomanduar që të votohet.

“Ka pasur dëgjim publik për këtë çështje, dhe pas shqyrtimit dhe trajtimit të të gjitha çështjeve e ka miratuar dhe në të njëjtën kohë, deputetëve u rekomandon që ky të miratohet”- kishte thënë Muja.

Kallxo.com ka pyetur disa prej deputetëve nga pozita dhe opozita në lidhje ketë zhvillim, por dikush prej tyre ka mohuar të jetë në dijeni se ka pasur reagime nga ndërkombëtarët, e dikush ka paralajmëruar qysh para hapjes së seancës se ky dokument do të tërhiqej për disa plotësime.

“Unë jam në Komision për Buxhet por nuk e di që faktori ndërkombëtar ka dërguar rekomandime dhe këshilla”, ka thënë Eman Rrahmani nga LVV.

“Nuk kam informacione në lidhje me këtë çështje, por ka këso temash që janë kontestuese”, ka deklaruar Bekë Berisha nga AAK.

“Ky ligj do të shtyhet për seancat e tjera. Kanë me u shqyrtu edhe disa gjëra pastaj me ardhë sërish në seancë”, ka potencuar Haxhi Avdyli nga Lista Guxo, që është pjesë e grupit parlamentar të LVV-së.

Ku pretendohet se është atakuar Plani i Ahtisaarit nga Projekt-kodi i ri doganor?

Sipas Projekt-kodit të ri doganor nga pagesa e akcizës lirohen misionet diplomatike dhe konsullore, organizatat ndërkombëtare dhe bashkësitë fetare.

Të njëjtat lirime nga pagesa e akcizës janë edhe në kodin doganor të aplikueshëm, mirëpo aty Kisha Ortodokse Serbe është e rregulluar me aneks të veçantë.

Sipas nenit 2 të këtij ligji, Kisha Ortodokse Serbe dhe bashkësitë tjera fetare te parapara me ligj, pa marrë parasysh çfarëdo dispozite që bie në kundërshtim me këtë ligj dhe përveç lirimeve tjera shtesë që i gëzojnë sipas legjislacionit në fuqi, do të lirohen nga taksat doganore, përfshirë çfarëdo takse të akcizës që përcaktohet në këtë ligj për aktivitetet ekonomike që janë specifike për qëndrueshmërinë e tyre financiare.

Privilegjet për Kishën Ortodokse Serbe janë përcaktuar me Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin final të Kosovës, që është përpiluar në vitin 2007 nga ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari, në cilësinë e emisarit të OKB-së për zgjidhjen e statusit final të Kosovës.

Me këtë propozim që njihet edhe si Plani i Ahtisaarit parashihen privilegje për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Më 2008, duke u bazuar në këtë plan, u miratua Ligji për zonat e veçanta të mbrojtura.

Plani i Ahtisaarit përgjithësisht siguron mbrojtjen e manastireve dhe kishave ortodokse si dhe të objekteve të tjera fetare në Kosovë dhe mbron vendet e tjera kulturore dhe historike, të cilat kanë rëndësi të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Me projekt-kodin doganor ndër tjera parashihet që bashkësitë fetare të lirohen për aktivitetet ekonomike që janë specifike për qëndrueshmërinë e tyre financiare, e te cilat përfshijnë aktivitetet siç janë: prodhimi i qëndisjeve dhe veshjeve fetare; qirinjve, pikturimi i ikonave, punimet e drurit dhe zdrukthëtarisë; prodhimet tradicionale bujqësore; importimi dhe blerja e produkteve relevante, materialeve, makinerisë, veglave dhe bagëtisë.

Mbikëqyrja dhe masat e kontrollit nga Dogana parashihen të përcaktohen me akt nënligjor të Ministrisë për Financa.