Nikola Sainoviç, Nebojsa Pavkoviç, Vladimir Lazareviç dhe Sreten Lukiç në Gjykatën e Hagës në janar 2014. Foto: EPA/PETER DEJONG/POOL.

Televizioni publik serb transmeton mohimet e të dënuarve për krim lufte

Dy kriminelë lufte të dënuar, ish-zv/kryeministri jugosllav Nikolla Shainoviq dhe gjenerali i Ushtrisë Jugosllave Vladimir Llazareviq, dolën në televizionin publik të Serbisë RTS të martën në mbrëmje dhe mohuan që ata të kenë kryer krimet për të cilat ishin dënuar.

Shainoviq dhe Llazareviq ishin mes të ftuarve në programin e RTS “Upitnik” (“Pikëpyetja”), i cili përqendrohej në përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi më 24 mars 1999.

Aleanca ushtarake perëndimore filloi sulmet e saj ajrore në një përpjekje për ta detyruar presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviç të përfundonte fushatën e tij ushtarake kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila përfshiu spastrim të gjerë etnik. Por ndërsa bombardimet vazhdonin, forcat e Millosheviçit kryen një seri masakrash ndaj civilëve shqiptarë etnikë.

I pyetur në lidhje me këto krime gjatë programit në RTS, Shainoviq këmbënguli “ato ishin akte nga individë”, për të cilat autoritetet jugosllave nuk mund të mbanin përgjegjësi.

“Dikush duhej të paguante për këtë dhe paguam ne”, shtoi ai.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e dënoi Shainoviqin me 18 vjet burg dhe Llazareviqin me 14 vjet burg për vrasje, dëbime dhe trajtim çnjerëzor të shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në 1999.

Por Llazareviq e hodhi poshtë eksodin masiv të qindra mijëra shqiptarëve etnikë që u larguan nga Kosova në pranverën e vitit 1999 për të shmangur shtypjen nga trupat dhe policia jugosllave.

I pyetur në lidhje me refugjatët shqiptarë etnikë, Llazareviq tha për RTS: “Ne e dinim se ata do të sajonin një eksod”.

Shainoviq u la i lirë në gusht 2015 pasi vuajti dy të tretat e dënimit të tij, dhe Llazareviq në dhjetor 2015.

Të dënuar gjithashtu për të njëjtat krime ishin gjeneralët e Ushtrisë Jugosllave Nebojsa Pavkoviç dhe Dragoljub Ojdaniç dhe gjenerali i policisë serbe Sreten Lukiç.